Dështon seanca në rastin ku ish-punëtori i KUR “Prishtina” kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit

A- gjykata (1)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Shtator 10, 2019

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, ka dështuar të mbahet seanca përgatitore, në rastin ku paditësi Hamit Gashi, po kërkon nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal (KUR) “Prishtina”, kompensimin e pagave pas pensionimit në shumë prej 2,812.00 euro.

Shkak i dështimit të seancës ka qenë mungesa e përfaqësueses të së paditurës, për të cilën gjykatësi i rastit Hysni Bardheci, ka thënë se e njëjta ishte paraqitur në gjykatë dhe kishte kërkuar që seanca të shtyhet për arsye se në të njëjtën orë kishte pasur seancë në Graçanicë.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Alban Makolli, nuk e ka kundërshtuar propozimin e përfaqësueses të së paditurës për shtyrjen e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Bardheci, seancën e radhës e ka caktuar më 11 tetor 2019, duke filluar nga ora 9:00.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 27 dhjetor 2018, paditësi Gashi, po kërkon nga e paditura KUR “Prishtina”, kompensimin e pagave pas pensionimit në shumë prej 2,812.00 euro.

Në padi thuhet se nga vitit 1981, paditësi dhe e paditura, kishin themeluar marrëdhënie pune, e cila kishte zgjatur deri në daljen e paditësit në pension sipas fuqisë ligjore, respektivisht deri më 14 nëntor 2017.

Në padi thuhet se paditësit Gashi, e paditura me rastin e pensionimit ia kishte kompensuar dy paga jubilare.

Siç thuhet në padi, paditësi nuk ishte pajtuar me vendimin e të paditurës, por kishte konsideruar se i takojnë gjashtë paga jubilare, e jo dy paga.

Bazuar në padi paditësi Gashi paraprakisht kishte kërkuar nga e paditura që t’i kompensohen edhe katër paga të tjera, por e paditura për rreth tetë muaj, nuk i kishte kthyer përgjigje.

Prandaj, me anën e kësaj padie, ai po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura, që t’ia kompensojë pagat pas pensionimit në shumë prej 2,812.00 euro. /Betimipërdrejtësi