Dështon seanca në rastin ku ish-mësimdhënësja kërkon nga Komuna e Prishtinës pagat pas pensionimit

unnamed[66]
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Maj 14, 2019

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca ku paditësja Fatime Rexhepi, po kërkon nga e paditura Komuna e Prishtinës – Drejtoria e Arsimit kompensimit e pagave përcjellëse dhe jubilare pas daljes në pension.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e paditëses Fatime Rexhepi, si dhe përfaqësuesja e palës së paditur.

Gjykatësja e rastit Saranda Bogaj-Sheremeti, tha se adresa e paditëses sipas fletëkthesës rezulton të jetë e panjohur nga adresa në kërkesëpadi, ndërsa sipas saj, e paditura edhe pse ishte ftuar në mënyrë të rregullt, mungesën e saj nuk e kishte arsyetuar.

Gjykatësja Bogaj-Sheremeti mori aktvendim që seanca e radhës të caktohet më 19 qershor nga ora 11:30, ku për paditësen ftesa do të bëhet përmes tabelës së shpalljes.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 6 mars 2018, paditësja Fatime Rexhepi, po kërkon nga e paditura Komuna e Prishtinës – Drejtoria e Arsimit, kompensimin e pagave përcjellëse dhe pagave jubilare të cilat po pretendon se i takojnë pas pensionimit.

Në padi thuhet se paditësja ka qenë në marrëdhënie të rregullt të punës te e paditura, Komuna e Prishtinës-Drejtoria e Arsimit, e cila ka punuar në cilësinë e mësimdhënëses deri në kohën e pensionimit.

Tutje, në padi thuhet se përkundër kërkesës së paditëses për shpërblimin e pagave jubilare dhe përcjellëse, e paditura nuk e kishte përmbushur obligimin e saj.

Për këtë, ajo ka ushtruar padi, me të cilën po kërkon nga gjykata qe ta obligojë Komunën e Prishtinës  për kompensimin e pagave pas pensionimit dhe atë në shumën prej 2.326,45 euro me kamatë ligjore, duke llogaritur lartësinë prej 3.5%. /Betimipërdrejtësi