Dështon seanca në rastin e kompanisë “Proje” që kërkon të anulohen vendimet ku ajo ishte gjobitur 16 mijë euro

Pamje nga Pallati - ADM
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Nëntor 4, 2019

 

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku kompania PTD “Proje”, po kërkon nga Departamenti për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë, anulimin e vendimeve të Këshillit Kosovar për Raportim Financiar (KKRF), me të cilat kjo e fundit e kishte gjobitur me 16 mijë euro.

Sipas njoftimit të dhënë nga gjykatësja Luljeta Maxhuni, e paditura nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt, kjo pasi që në sipas fletëkthesës rezulton se adresa është jo e saktë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, kompania PTD “Proje” po kërkon anulimin e vendimit 04/2016, të datës 10 mars 2016, me të cilin ishte shpallur përgjegjëse për mosrespektim të Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, për çka ishte gjobitur me 1.000 euro.

Si dhe vendimin 03/2016, të po të njëjtës datë, e të cilin ishte gjobitur me 15 mijë euro, pasi që ishte shpallur përgjegjëse për mosrespektim të Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Në padi thuhet se këto vendime kishin lënën në fuqi vendimet e Komisionit për Hetim dhe Disiplinë.

Por, këto vendime po i kundërshton kompania në fjalë, e cila po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e tyre.

Kjo, me pretendimin se obligimin për paraqitjen e pasqyrave financiare e kanë vetëm shoqëritë tregtare të mëdha, e që sipas kësaj, kompania “Proje”’ nuk bën pjesë në shoqëritë e mëdha tregtare.

Mbi këtë bazë juridike, kompania “Proje’ po kërkon anulimin e këtyre vendimeve dhe shpalljen e tyre të pavlefshme. /BetimipërDrejtësi