Dështon seanca në rastin e ish-zyrtares së ATK-së, së cilës i ishte refuzuar kërkesa për kompensimin e pagave pas pensionimit

Gjykata3
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Korrik 2, 2019

Prishtinë – Mungesa e paditëses Sherife Avdiu, ka bërë që të mos mbahet seanca e së martës, në rastin ku ajo po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), me të cilin asaj i ishte refuzuar ankesa për kompensimin e tri pagave pas pensionimit.

Sipas gjykatëses Lirije Maksutaj, në fletë-kthesë është konstatuar se adresa e paditëses është e panjohur, dhe se gjykata do ta ftojë atë përmes tabelës së shpalljeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancë, prezantoi përfaqësuesi i KPMSHCK-së, Rushit Kajtazi, por pasi që nuk ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance, ajo është shtyrë për 11 korrik 2019, nga ora 9:00.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 18 tetor 2017, paditësja Sherife Avdiu, pas pensionimit nga pozita e zyrtares në Departamentin për Ankesa në Administratën Tatimore të Kosovës, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, anulimin  e vendimit të  KPMSHCK-së, me të cilin i ishte refuzuar kërkesa për  kompensimin e tri pagave.

Paditësja, fillimisht më 7 korrik 2017, kishte kërkuar nga KPMSHCK-ja, kompensimin e tri pagave në rast të pensionimit, por kërkesa e saj ishte refuzuar më 28 korrik 2017.

Kundër këtij vendimi, paditësja më 28 gusht 2017, kishte ushtruar ankesë, por e njëjta sërish i ishte refuzuar nga KPMSHCK-ja, me arsyetimin se për nëpunësit civil, janë të aplikueshme dispozitat ligjore të Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civil, e që sipas tij, pas pensionimit, nëpunësve civil iu takon vetëm një pagë dhe jo tri, siç pretendon paditësja.

Ndërsa, këtë vendim e konsideron të paligjshëm paditësja, pasi që sipas saj, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës e hyrë në fuqi më 2015, përmban dispozita ligjore të cilat i referohen të gjithë të punësuarve në Kosovë.

Mbi këto pretendime, paditësja po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK),  me të cilin i ishte refuzuar ankesa për kompensimin e tri pagave, pas pensionimit. /BetimipërDrejtësi