Dështon seanca ndaj të akuzuarve në rastin e veçuar të Ukë Rugovës për krim të organizuar lidhur me mashtrimet me viza italiane

IMG_4555
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Maj 6, 2021

Prishtinë – Ka dështuar të nis gjykimi ndaj të akuzuarve për krim të organizuar lidhur me kontrabandim me migrantë, Fitim Beqiri, Azat Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Kosovniku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti,  dhe Haxhi Islami.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte kërkesa e të akuzuarit Fitim Beqiri për angazhimin e një mbrojtësi sipas detyrës zyrtare, kërkesë për të cilën duhet të vendosë Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Fitim Beqiri deklaroi se mbrojtësi i tij Kapllan Baruti ka ndërruar jetë dhe kërkon nga gjykata që t’i caktohet një mbrojtës tjetër sipas detyrës zyrtare.

Meqenëse sipas trupit gjykues mbrojtja nuk është e obligueshme pasi që bëhet fjalë për një vepër penale të dënueshme mbi 7 vite, kërkuan nga i akuzuari të jap arsye pse gjykata duhet t’i angazhoj mbrojtës.

“7 vite kam paguar avokat dhe tani nuk kam me mundësi për te angazhuar një avokat, prandaj kërkoj nga gjykata të ma angazhoni ju”, tha i akuzuari Beqiri.

Ai në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Fatime Dermaku lidhur me gjendjen e tij ekonomike deklaroi se jeton me bashkëshorten e tij dhe një fëmije me rrogë 450 euro.

Në pyetjen e gjykatëses se a posedon pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, i akuzuari deklaroi se ka një veturë të llojit “Mercedes C-Class” dhe nuk ka pasuri të paluajtshme.

Lidhur me këtë kërkesë pritet të vendos Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe seanca e radhës është paraparë të mbahet më 3 qershor 2021.

Për këtë seancë mungoi edhe i akuzuari Fadil Ahmeti, i cili sipas mbrojtësit të tij Arben Geci ishte duke ardhur në gjykatë.

Për këtë gjykatësja Dermaku u tërhoqi vërejtjen të gjitha palëve që të jenë të pranishëm në kohë për seancë pasi që janë 15 të akuzuar dhe nuk mund të tolerohen vonesa.

Ndryshe, në këtë rast të akuzuar janë edhe Ish-deputeti Ukë Rugova, ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Astrit Haraqija, si dhe tre të tjerët, Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri, për të cilët është veçuar procedura pasi që lënda është ndarë në dy pjesë, “Ukë Rugova I” dhe “Ukë Rugova II”.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi