Dështon seanca ndaj të akuzuarit për posedim dhe shitje të marihuanës në Mitrovicë

Djellza
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Janar 13, 2020

Mitrovicë – Të hënën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit për vepra penale që lidhen me narkotikë, Arben Uka.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance, ka qenë mungesa e të akuzuarit Uka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Uka, mbrojtësi i tij, avokati Agim Lushta, ka deklaruar se adresën e ka të njëjtë, por ai herë pas here është jashtë vendit për punë të përkohshme.

Ai tha se paraprakisht nuk ka kontaktuar me të pandehurin, e as nuk e ka numrin e telefonit të tij.

Po ashtu, në seancën e së hënës, kanë munguar edhe dëshmitarët Berat Jashari dhe Lavdim Peci, që sipas gjykatës, dëshmitari i parë gjendet jashtë vendit, ndërsa i dyti nuk e ka arsyetuar mungesën.

Në mungesë të akuzuarit dhe dëshmitarëve, gjykatësi Bekim Veliqi, e ka shtyrë gjykimin për 19 shkurt 2020, në ora 09:30.

Gjykatësi ka thënë se dëshmitarët do të thirren me ftesa të rregullta, ndërsa ndaj të pandehurit do të merren veprime ligjore për sigurimin e tij në këtë çështje penale.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 1 tetor 2013, kishte ngritur aktakuzë ndaj Arben Uka, të cilin e ngarkon me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 273, paragrafi 2 i KPK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri gjatë muajit mars-prill 2013, pa autorizim ishte furnizuar me substancë narkotike në “Lagjen e Boshnjakëve”, në Mitrovicë, pastaj kishte ndërmjetësuar dhe shitur marihuanë, me çmimin prej pesë eurosh për qese.

Siç thuhet në aktakuzë, në bazë të urdhrit të gjykatës, policia kishte kontrolluar shtëpinë dhe lokalet tjera përcjellëse të pandehurit në rrugën “Ulqini”, në Mitrovicë, me ç` rast në dhomën e fjetjes së të pandehurit nën krevat kishin gjetur pesë paketime me marihuanë, me peshë neto të përgjithshme prej 6.92 gramë dhe tre qese najloni të zbrazëta për paketimin e substancës narkotike. /BetimipërDrejtësi