DËSHTON SEANCA NDAJ GRUPIT PREJ 10 TË AKUZUARVE PËR FAJDE

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Për shkak të mungesës së të akuzuarit Albert Kala, është shtyrë gjykimi ndaj tij dhe grupit të përbërë nga Pal Morina, Engjëll Thaçi, Nue Karica, Bernard Perlazeri, Leonard Perlazeri, Fadil Selimi, Fatmir Selimi, Gjon Kushnini dhe Eduard Morina, të cilët akuzohen se kanë kryer veprën penale të fajdesë, detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje.

Aktakuza është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, të cilën e përfaqëson prokurori i shtetit, Genc Nixha.

Avokatja e këtij të akuzuari, Hana Cana, ka njoftuar trupin gjykues, se Alberti gjendet jashtë Kosove, ku edhe jeton, ndërsa nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë seancë për shkak të një kontratë pune që ka lidhur atje.

Tutje avokatja ka thënë se ky i akuzuar nuk mund të marrë pjesë në gjykim deri në fund të shtatorit, kur edhe pritet të kthehet në Kosovë.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka konstatuar se nuk ka kushte ligjore për të mbajtur shqyrtimin, andaj të njëjtin e ka shtyrë për 10 tetor 2016, në ora 10:00.

Në seancën e radhës pitet të vazhdojë dëshminë e tij, i dëmtuari Sefedin Kazazi, ku do të dëshmojë se si ky grup, kishin përfituar prej tij në mënyrë të paligjshme.

Në këtë rast, përveç Sefedinit, i dëmtuar është edhe djali i tij, Ibrahim Kazazi, nga deklaratat e të cilëve është ndërtuar kjo aktakuzë.

Në njërën nga seancat e këtij rasti, përderisa ishte duke dëshmuar Ibrahim Kazazi, të njëjtit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe seanca është ndërprerë.

Në seancën e radhës, i njëjti ka sjell me vete një dokument mjekësor i cili tregonte se ky i dëmtuar, nuk është në gjendje që të dëshmojë, me këtë rast dëshminë ka filluar ta japë, babai i tij, Sefedin Kazazi.

Në seancën e mbajtur në fund të majit, Sefedin Kazazi, në dëshminë e tij ka treguar se si ky grup kishte përfituar nga ai shuma të mëdha të parave.

Ai ka treguar se të akuzuarve u kishte dhënë para në shumë prej 1500, 5300, 9300, në emër të kinse borxhit që u kishte djali i tij, atyre.

Tutje ka thënë se të akuzuarit Pal Morina, i kishte dhënë para në shumë prej 5300 euro, në emër të një borxhi që ia kishte pasur djali i tij, Ibrahimi.

Ka përmendur edhe dy raste kur të akuzuarit Engjell Thaqi dhe Albert Kala, i kishin dhënë atij shumat prej 20 mijë dhe 25 mijë, kinse për të mbuluar borxhin që djali i tij kishte ndaj dy personave.

Ky i dëmtuar gjatë atij shqyrtimi ka thënë se ato para nuk i kishte marrë asnjëherë, sepse të njëjtat para, Engjëlli dhe Alberti i kishin marrë dhe ia kishin dhënë Bernard Perlazrit.

Prokuroria pretendon se ky grup përmes imponimit të fajdesë ndaj kësaj familjeje, kanë marrë prej tyre shuma të mëdha të parave dhe kanë tentuar t’ua marrin shtëpinë, me anë të kërcënimit me armë.

Sipas organit të akuzës, të akuzuarit Engjëll dhe Albert, kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarve, u kanë bërë presion me armë, që të paguanin kinse një borxh prej 150 mijë euro, përndryshe duhej ta bartnin shtëpinë në emër të tyre.

Poashtu aktakuza i ngarkon grupin se kanë shfrytëzuar pozitën e vështirë financiare të personave të ndryshëm, u kanë dhënë para borxh atyre dhe më vonë u kanë kërkuar shuma më të mëdha.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë