Dështon seanca ndaj dy vëllezërve që akuzohen se kanosen ish-asamblistin në Drenas, Xhavit Drenori

xhavit drenori
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Dhjetor 13, 2019

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj dy vëllezërve Lavdim dhe Burim Hoti, të cilat po akuzohen se kishin kanosur ish-asamblistin e Komunës së Drenasit, Xhavit Drenorin.

Dy vëllezërit po akuzohen se e kishin kanosur të dëmtuarin Drenori, për shkak se ky i fundit kishte bërë një postim në “facebook”, me një foto gjatë fushatës elektorale, në të cilën kishin qenë prindërit e të akuzuarve Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak i shtyrjes së shqyrtimit fillestar, i paraparë të mbahej të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka qenë mos pajisja e të akuzuarve me shkresa të lëndës.

Kështu, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, e ka ndërpretë seancën e së premtes, pasi sipas tij, të akuzuarit pos që nuk kishin pranuar nga prokuroria asnjë shkresë të lëndës, ata nuk e kuptojnë se për çfarë ishin akuzuar, si dhe nuk kishin angazhuar as mbrojtës.

Por, sipas tij, ligji nuk parasheh që atyre t’u caktohet avokat sipas detyrës zyrtare, pasi mbrojtja për veprën penale “kanosja e kandidatit”, nuk ishte obligative.

Në këtë mënyrë, gjykatësi Shala obligoi prokuroren Fitore Sadikaj që të akuzuarit t’i pajisë me të gjitha shkresa e lëndës.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me 26 dhjetor 2019, në ora 09:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka përpiluar aktakuzë më 26 nëntor 2019, ndaj Lavdim dhe Burim Hotit, me pretendimin se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “kanosja e kandidatit”, nga neni 211 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit më 15 tetor 2017, në rrugën “Besim Mala”, në Drenas, në bashkëveprim në mënyrë të kundërligjshme kishin penguar kandidatin Xhavit Drenori në ushtrimin e veprimtarisë elektorale.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Burim Hoti, i kishte shkruar në facebook të dëmtuarit Drenori “sjom kanë në shpi se t’kisha tregu ty kon e qet në foto o rrenc se na nuk jena me ty po me Ramizin”, ndërsa një ditë më pas së bashku me të akuzuarin tjetër Lavdim Hotin, me veturën e tyre kishin shkuar në parkingun e Komunës së re në Drenas, duke u parkuar pranë veturës së të dëmtuarit Drenori, ku kishin filluar të kanosnin të njëjtin.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Lavdim Hoti e kishte kanosur të dëmtuarin me fjalët “hiqi urgjentisht fotografitë prej facebookut të cilat i ke bërë dje në fshatin Godanc” si dhe fjalët “nëse nuk i heq fotot nga facebook shihemi nesër”, kjo siç thuhet në aktakuzë, pasi që i dëmtuari Drenori një ditë më parë kishte bërë një postim në facebook me një foto gjatë fushatës elektorale në fshatin e përmendur e në foto kishin qenë prindërit e të akuzuarve Hoti.

Për këto veprime, sipas prokurorisë të dëmtuarit i kishin sjellë ndjenjën e frikës dhe të pasigurisë, ku si rezultat i kësaj, i dëmtuari të nesërmen ndonëse kishte takim në fshatin Godanc, nuk kishte guxuar të shkonte. /BetimipërDrejtësi