Dështon seanca ku paditësi po kërkon 57 mijë euro si dëmshpërblim pasi në vend të punës i kishte prerë tre gishtërinjtë  

drenas
Author

Raporton : Mirjeta PLAKIQI

Prill 29, 2021

Drenas – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ka dështuar të mbahet seanca përgatitore lidhur me çështjen juridike civile, dëmshpërblim, në rastin ku paditësi Bedri Baleci, po kërkon 57 mijë euro, për lëndimet e pësuara në vendin e punës nga e paditura, kompania “Genkor”.

Seanca është  shtyrë me kërkesë të përfaqësuesit nga kompania “Genkor” Artor Berdyna, i cili ka njoftuar gjykatën se kompania tanimë ka ndërruar pronarin dhe aktualisht pronar është Blin Hoxha, dhe lidhur me këtë çështje nuk kanë njohuri dhe nuk posedojnë  shkresat e lëndës.

Sipas tij, për seance janë njoftuar një ditë më parë nga pronari paraprak ndaj  kërkoi shtyrjen e seancës në mënyrë që të informohen me shkresat e lëndës dhe të marrin pjesë në  seancën e radhës të caktuar nga gjykata.

Gjykatësi, Daut Qela, seancën e radhës e ka caktuar me 4 qershor 2021, nga ora 10:00.

Në sallë ishin të pranishëm i autorizuari i paditësit, avokati Shaqir Behrami si dhe eksperti i mbrojtjes në punë, Hamid Nuredini.

Shtyrjen e seancës nuk e ka kundërshtuar avokati Behrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e ka detyruar kompaninë “Genkor” që të paguajë shumën prej 75 euro në emër të shpenzimeve në llogari të ekspertit të  punës, pasi i njëjti ishte i pranishëm në shqyrtim, por nuk pati mundësi të deklarohet për shkak të kërkesës për shtyrje.

Në padinë e ushtruar me 22 prill 2014, paditësi Bedri Baleci, ka paditur kompaninë “Genkor” për dëmshpërblim.

Sipas padisë, me 25 tetor 2011, rreth orës 13:30 minuta, derisa paditësi ishte duke punuar te e paditura, është shkaktuar fatkeqësi në vendin e punës, në të cilën fatkeqësi  lëndime të rënda trupore ka pësuar paditësi.

Fatkeqësia është shkaktuar kur punëtori, tani paditësi ishte duke punuar me makinën e prerjes së shiritave “Kantaric”, e cila në atë moment ishte në defekt dhe prodhimi nuk dilte kualitet, personi përgjegjës i tërheq vërejtjen punëtorit, tani paditësit, i cili përpiqet qe të mënjanoi defektin dhe në atë  rast makina vihet në lëvizje (rrotullime) dhe i`a prerë gishtat e dorës së majtë 3, 4 dhe 5, thuhet në padi.

Përmes padisë kërkohet nga Gjykata Themelore në Prishtine, dega në Drenas që të nxjerr aktgjykim me te cilin aprovohet kërkesëpadia e paditësit, dhe detyrohet e paditura kompania “Genkor”, me pronar Shpend Agani, qe paditësit për shkak të lëndimeve të rënda trupore të shkaktuara në vendin e punës të i paguaj shumën e përgjithshme 57.000.00 euro./BetimipërDrejtësi.