Dështon seanca gjyqësore ku palë paditëse janë MMPH-ja dhe Komuna e Prishtinës

Rasti i Gjergj Gjonaj 23.05.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Maj 23, 2019

Prishtinë – Në mungesë të provave se pala e paditur, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), është ftuar me rregull, të enjten ka dështuar të mbahet seanca ku Gjergj Gjonaj ka paditur ministrinë në fjalë dhe Komunën e Prishtinës, lidhur me një vendim të nxjerrë nga këto dy institucione.

Në seancën e së enjtes e pranishme ishte vetëm avokatja e paditësit, Zahide Gjonaj, pasi që mungoi edhe përfaqësuesi i palës së paditur, Komunës së Prishtinës, edhe pse ishte ftuar me rregull, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Hajriz Hoti shtyu seancën për 11 qershor të këtij viti, në ora 10:00, për të cilën tha se e paditura MMPH do të ftohet me rregull.

Ndryshe, Gjergj Gjonaj kishte paraqitur padi më 26 korrik 2017 ndaj Komunës së Prishtinë, respektivisht Drejtorisë së Urbanizimit dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), duke kërkuar anulimin e vendimit të 9 nëntorit 2016.

Sipas vendimit të MMPH-së, Gjonajt iu ishte refuzuar kërkesa për lejimin e mbulimit të shkallëve dhe “shupës” së banimit të ndërtuar në paracelat kadastrale me numër 2778-0 dhe 2778-10, në zonën kadastrale në Prishtinë.

Në vendim thuhet se inspektorati i MMPH-së kishte zhvilluar inspektim në vendim e  ngjarjes lidhur me kërkesën për mbulim të shkallëve, e të cilët kishin konstatuar se shtëpia ndërtesa në fjalë ishte në pronësi të paditësit Gjonaj por që në inspektim nuk është vërejtur askund se duhet të mbulohet shupa apo “fllaniku” me shkallë.

Andaj në bazë të këtyre rrethanave, drejtoria kishte vendosur që t’i lejoj palës sanim të objektit por jo të diçkaje që nuk ekziston ose që nuk është e tij. /Betimipërdrejtësi