Dështon rigjykimi për tentim vrasjen e vitit 2009 në Podujevë

IMG-8725
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Nëntor 12, 2020

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet rigjykimi ndaj Albert Rizahut dhe Bejtë Fetahut të cilët po akuzohen se në gusht 2009, kishin tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarit Jetullah dhe Berat Hajdari.

Sipas aktakuzës, kjo tentim vrasje kishte ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme rreth transportimit të udhëtarëve me autobus në të njëjtën linjë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak i mosmbajtjes së seancës së të enjtes, ka qenë mungesa e të akuzuarit Albert Rizahu, i cili sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani, e kishte njoftuar gjykatën se gjendej jashtë shtetit.

Po ashtu, në këtë seancë ka munguar edhe mbrojtësi i tij, avokati Veton Rrecaj dhe ekspertja mjekoligjore Valbona Blakaj të cilët sipas gjykatëses Namani ishin ftuar në mënyrë të rregullt nga ana e gjykatës.

Ndërsa prezent në këtë seancë kanë qenë prokuroja Besa Limani dhe i akuzuari Bejtë Fetahu me mbrojtësin e tij, avokati Taulant Ismaili i caktuar sipas detyrës zyrtare.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 25 nëntor 2020, në ora 09:00.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në nëntor 2010, të akuzuarin Albert Rizahu për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “lëndim i rëndë trupor”, e kishte dënuar me 4 vite burgim, ndërsa të akuzuarin Bejtë Fetahu për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”, është dënuar me 3 vite e gjashtë muaj.

Mirëpo, pas ankesës së prokurorisë dhe mbrojtjes, Gjykata e Apelit më 14  maj 2013, kishte anuluar këtë aktgjykim dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur me 5 gusht 2009, të akuzuarit Albert Rizahu dhe Bejtë Fetahu me 28 prill 2009, në rrugën “Brigat”, në Podujevë, pas marrëveshjeve të vazhdueshme rreth transportimit të udhëtarëve me autobus në të njëjtën linjë, kishin tentuar të privonin nga jeta të dëmtuarit Jetullah dhe Berat Hajdari.

Në aktakuzë thuhet se një ditë më parë pasi familja Hajdari e kishin paraqitur rastin në polici, kur i dëmtuari Jetullah Hajdari -vozitës i autobusit ishte dashur të niset pasi autobusi i tij ishte mbushur me udhëtarë, dy të akuzuarit së bashku me dy të akuzuarit që gjendet në arrati Anton Fetahu dhe Ajet Rizahu fillimisht ia kishin bllokuar rrufën duke ia vënë në njërën anë autobusin e tyre dhe pastaj kishin dalë nga automjetet e tyre të pajisur me armë, revole, thika dhe shufra hekuri e druri.

Pas kësaj, i kishin sulmuar pjesëtarët e familjes Hajdari, kështu të akuzuarit Albert dhe Ajet Rizahu e kishin goditur me thikë disa herë të dëmtuarin Jetullah Hajdari, ndërsa i akuzuari Bejtë Fetahu kishte shtënë me revole në drejtim të të dëmtuarit Hajdari, mirëpo nuk kishte arrit ta qëllojë.

Po ashtu, i akuzuari Albert Rizahu e kishte goditur me thikë edhe të akuzuarin Berat Hajdai, kurse i akuzuari Anton Fetahu i cili gjendet në arrati kishte shtënë në drejtim të tij duke e qëlluar në krahun e majtë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Për këto veprime, të akuzuarit Albert Rizahu dhe Bejtë Fetahu po ngarkohen me veprën penale : vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa i akuzuari Albert Rizahu edhe për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, si dje i akuzuari Bejtë Fetahu me veprën penale “mbajtja në pronësi, në posedim, në kontroll dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi