Dështon rigjykimi në rastin ku ish-punëtori i KEK-ut po kërkon rikthimin në punë

20181015_144530
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Nëntor 8, 2018

Prishtinë – Ish-punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Islam Kamberi të enjten nuk ishte prezent në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin në të cilin ai po pretendon se është larguar në mënyrë të kundërligjshme nga puna.

Gjykatësja e rastit, Sranda Bogaj-Sheremeti bëri të ditur se paditësit nuk i kishte shkuar ftesa e gjykatës, për çka shqyrtimi i së enjtes u shty për 13 dhjetor të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, prezent në gjykatë ishte përfaqësuesi i KEK-ut, Gëzim Ratkoceri.

Sipas padisë, KEK-u, më një vendim të 15 majit të vitit 2004, në emër të pensionimit suplementar, në emër të invaliditetit të punës, ka paguar 105 euro në muaj për paditësin, nga 1 shtatori i vitit 2004 e deri më 1 tetor 2009, por pas këtij afati nuk është përcaktuar fati i tij se a duhet ai të kthehet përsëri në punë.

Kamberi me padinë e tij të 14 tetorit 2019, ka kërkuar atëherë nga Gjykata Komunale në Prishtinë, që ta detyroi KEK-un që të njëjtin ta kthej në punë, pasi pretendon se largimi i tij nga puna është bërë në mënyrë të kundërligjshme, si dhe kishte kërkuar që të i vazhdohej kompensimi nga 1 tetori 2009 e deri në moshën e pensionimit.

Në padi thuhet se më 9 tetor 2009, ai kishte bërë një kërkesë te punëdhënësi i tij që të kthehet në punë, pasi sipas tij ishte i aftë për punë por nuk kishte marrë asnjëherë përgjigje.

Ndryshe, më 21 nëntor 2012, Gjykata Komunale në Prishtinë, kishte marrë aktgjykim me të cilin kishte refuzuar si kërkesëpadinë me të cilën paditësi kërkonte të vazhdohej kompensimi në emër të invaliditetit deri në moshën e pensionimit si të pabazuar, e po ashtu e kishte refuzuar edhe kërkesën për kthimin në punë, por  këtë si të paafatshme.

Ndaj këtij vendimi kishte ushtuar ankesë paditësi dhe Gjykata e Apelit, pas tri vitesh, më 20 tetor 2015, kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë sipas të cilit paditësit nuk i ishte vazhduar kompensimi por kishte kthyer në rigjykim kërkesëpadinë përmes të cilit Kelmendi, kërkonte kthimin në punë, pasi sipas instancës së dytë, ish-Gjykata Komunale në Prishtinë ka bërë shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore. /Betimipërdrejtësi