Dështon rigjykimi ndaj të akuzuarit për disa grabitje të armatosura në Pejë

18 shkurt Gjykata 2020
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shkurt 18, 2020

Pejë – Të martën, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit, në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj Vilson Bajramajt, i cili akuzohet se brenda një periudhe prej tre muajsh, kishte kryer pesë grabitje në bankat e Pejës.

Bajramaj akuzohet se me maskë dhe nën kërcënimin e armëve, kishte kryer grabitje në “Monego”, “Moneygram”, “Western Union dhe “Ipko”, prej të cilave grabitje, kishte arritur të marrë mbi pesëmijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këto veprime, i akuzuari Bajramaj, më 5 gusht 2019, ishte dënuar me 8 vjet burg efektiv dhe 1500 euro gjobë, pasi ai në seancën fillestare e kishte pranuar fajësinë, por që më pas ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ndërkohë, seanca e rigjykimit, e paraparë për të martën, nuk ka arritur të mbahet pasi sipas kryetarit të trupit gjykues, Sylë Lokaj, të akuzuarit Bajramaj nuk i ishte dorëzuar ftesa për këtë seancë, me ç’rast ajo është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 5 gusht 2019, i akuzuari kishte deklaruar e ndien veten fajtor, duke kërkuar falje për veprat e kryera.

Gjykata Themelore në Pejë, më 5 gusht të vitit 2019, të akuzuarin Vilson Bajramaj, e kishte dënuar me 8 vjet burg dhe 1500 euro gjobë, pasi ai e kishte pranuar fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohej.

Por, një aktgjykim të tillë e ka prishur Gjykata e Apelit dhe rasti ishte kthyer në rivendosje në Gjykatën e Pejës, me arsyetimin se mbrojtësit të të pandehurit, avokati Liridon Tafa nuk i ishte ofruar kohë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, e përpiluar më 15 korrik 2019, Vilson Bajramaj, akuzohet se më 24 dhjetor 2018, në Pejë, në filialin “Monego”, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka kryer vepër penale të grabitjes.

Në aktakuzë thuhet që i akuzuari kishte vënë në kokë një kapele me ngjyrë të zezë dhe fytyrën e kishte mbështjellë me një shall të zi, dhe me të hyrë e kishte nxjerrë nga xhepi një pistoletë dhe nga punëtorët, përkatësisht të dëmtuarat Argjentina Kelmendi dhe Rita Begolli, nën kërcënim të armëve u kishte kërkuar para nga arka, me ç’ rast të njëjtat ia kanë dorëzuar 1.255 euro, dhe pasi që i pandehuri i merr paratë, iu ka drejtuar me fjalët se nëse brenda dhjetë minutave thërrasin policinë do t’i vriste, dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes.

Sipas këtyre veprimeve i akuzuari ngarkohet me vepër penale të grabitjes nga neni 317, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ai gjithashtu ngarkohet edhe me tri vepra të tjera dhe atë 13 dhjetor 2018, në Pejë, në filialin e “Moneygram”, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka kryer vepër penale të grabitjes, duke u futur i maskuar dhe me kërcënim të armës ka kërkuar para nga e dëmtuara Miranda Dreshaj, dhe e njëjta ia kishte dorëzuar shumën prej 183 eurove, dhe më pas i njëjti ishte larguar nga vendi i ngjarjes

Ai ngarkohet se edhe më 7 janar 2019, në Pejë, në filialin e IPKO-së, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka kryer vepër penale të grabitjes, duke u futur i maskuar dhe me kërcënim të armës ka kërkuar para nga punëtorja, përkatësisht e dëmtuara  Nita Buçuku që t’ia dorëzojë paratë, dhe e njëjta ia kishte dorëzuar shumën prej 60 eurove, dhe më pas i njëjti ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

I njëjti akuzohet se më 4 shkurt 2019, në Pejë, në filialin e “Western Union”, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka kryer vepër penale të grabitjes, duke u futur i maskuar dhe me kërcënim të armës ka kërkuar para nga e dëmtuara Aurela Seferi, dhe e njëjta ia kishte dorëzuar shumën prej 4 mijë eurove, dhe më pas i njëjti ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu, ai akuzohet se më 4 shkurt 2019, në Pejë, në filialin e “IUTE-CREDIT”, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka kryer vepër penale të grabitjes, duke u futur i maskuar dhe me kërcënim të armës ka kërkuar para nga punëtoret, përkatësisht e dëmtuara  Kaltrina Vokshim dhe Bardha Zatriqi, me ç’ rast të njëjtat i kanë treguar që nuk posedojnë para, pasi që transaksionet i kryejnë përmes postës, dhe pasi që i pandehuri bindet që nuk kanë para, largohet nga vendi i ngjarjes.

Sipas këtyre veprimeve, Vilson Bajramaj akuzohet për vepër penale të grabitjes së mbetur në tentativë, nga neni 317, paragrafi 3, lidhur me paragrafi 1, e lidhur me nenin 28 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi