Dështon mbajtja e gjykimit ndaj Ish-drejtorit të Infrastrukturës Publike në Komunën  e Drenasit, i akuzuar për ndotje të ujit të pijshëm

20201120_103216
Author
Nëntor 20, 2020

Drenas – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ka dështuar të mbahet shqyrtimi kryesor i paraparë për të premten, ndaj të akuzuarit për “ndotja e ujit të pijshëm”, Idriz Hysenaj.

Shkak për dështimin e seancës ka qenë mungesa e palës së dëmtuar Musa Kukaj, dhe mbrojtësit të tij, avokatit Gazmend Halilaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Shefqet Baleci, njoftoi se për të njëjtin gjykata nuk ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Të pranishëm në sallë ishin prokurorja Fikrije Sylejmani, i akuzuari Hysenaj, mbrojtësi i tij, avokati Nasuf Hasani si dhe dëshmitarët Flora Krasniqi dhe Shukri Veseli.

Seanca e radhës u caktua me 22 janar 2020, nga ora 9:30.

Pala e dëmtuar dhe i  mbrojtësi i tij do të ftohen me ftesa të rregullta, kurse për të pranishmit komunikimi gojor do shërbej në vend të ftesave të rregullta.

Ndryshe, Gjykata e Apelit me 11 mars 2020,  ka marr aktvendim me të cilin ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Hysenaj, avokatit Nasuf Hasani, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, është vërtetuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, me 10 janar 2020, ka marr aktvendim me të cilin e ka refuzuar kërkesën e paraqitur për hudhjen e aktakuzës nga ana e mbrojtësit të të  pandehurit Idriz Hysenaj, si të pa bazuar, e paraqitur kundër aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Idriz Hysenaj, të cilin e ka ngarkuar me veprën penale, ndotja e ujit të pijshëm, nga neni 264 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës.

Sipas aktakuzës, nga 5 gushti 2019, e në vazhdimësi, në fshatin Tërstenik, Komuna e Drenasit, nga pakujdesia e ndot ujin, të cilin familja e ankuesit Musa Kukaj e përdorë për pije, duke rrezikuar shëndetin e tyre, në atë mënyrë që gjatë implementimit të projektit për shtrirjen e kanalizimit në fshatin Tërstenik, nga ana e Komunës së Drenasit.

Tutje thuhet se i pandehuri Hysenaj, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Infrastrukturës Publike në Komunën e Drenasit, nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për evitimin e rrjedhës së ujërave  të zeza të  zeza, të cilat rrjedhin në përroin në afërsi prej 2-3 metra afër pusit të ujit të pijshëm në pronën e të dëmtuarit Musa Kukaj.

Më këtë rast ujërat e kanalizimit kanë vërshuar dhe kanë hyrë në pusin e të dëmtuarit duke e ndotur ujin e pijshëm, thuhet në aktakuze. /BetimipërDrejtësi