Dështon gjykimi për rastin e djegies së një are me fidane paulovnia në Podujevë

salla e gjykimeve
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Janar 26, 2021

Podujevë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ka dështuar të mbahet gjykimi për rastin e djegies së një are me fidanë paulovnia, ku është dëmtuar edhe sistemi i ujitjes, ku i akuzuar është Selatin Muqolli.

Gjykimi i sotëm dështoi pikërisht për mungesën e të akuzuarit Muqolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke qenë se nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e këtij gjykimi, gjykatësi i çështjes Minir Hoti tha se ky gjykim do të shtyhet deri në verifikimin e adresës së të pandehurit nga ana e policisë.

Aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në seancën e sotme e përfaqësoj prokurori remzush Latifi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 28.10.2020, Selatin Muqolli akuzohet se me datë 23.10.2019, rreth orës 14:00, në fshatin Herticë, Komuna e Podujevës, nga pakujdesia ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm për njerëzit, në atë mënyrë që derisa ka qenë duke pastruar livadhin e tij, kishte ndezur një zjarr i cili kishte depërtuar edhe në pronën – arën e të dëmtuarit Muhamet Muqolli, e mbjellur me fidanë paulovnia, ku ishin dëmtuar nga zjarri si dhe komplet sistemi i ujitjes, ku si pasojë e zjarrit i është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material në vlerë 3000 euro.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par.1 lidhur me par.6 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi