Dështon gjykimi për prerjen dhe fshehjen e drunjve në parkun e mbrojtur “Bjeshkët e Nemuna”

Foto Gjykata (25)
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Prill 7, 2021

Pejë – Nuk ka arritur të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj të pandehurve Liridona Nela dhe Arton Kadrija.

Të pandehuren Nela, Prokuroria e Pejës e ngarkon për veprën penale të vjedhjes së pyllit, ndërsa të pandehurin Kadrija, për fshehjen e sendeve nga vepra penale, ku ky i fundit, nuk ishte i pranishëm në seancën fillestare.

Sipas gjykatësit Musë Povataj, i pandehuri Kadrija nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt ndërsa i njëjti do të ftohet përsëri me ftesë të rregullt.

“Nuk ka kushte procedurale për mbajtjen e shqyrtimit fillestar”, tha gjykatësi Povataj.

Në këtë seancë, ishte e pranishme e pandehura Nela dhe prokurori i shtetit, Arben Hoti.

Seanca e radhës u caktua më 21 prill 2021, duke filluar nga ora  9 :00.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 17 prill 2020, e ngarkon të pandehurën Nela se më 20 mars 2020, rreth orës 13:00, në vendin e quajtur “Maja e Zezë”, përkatësisht në parkun e mbrojtur “Bjeshkët e Nemuna”, e cila është nën administrimin e DAPK-së, bënë prerjen e drunjëve.

Sipas aktakuzës, e pandehura pret disa trungje të shkozës dhe bungut me diametër rreth 3m kub, dhe të njëjtat i ngarkon në kamionin e të pandehurit Arton.

Me çka ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Vjedhja e pyllit”, nga neni 349 par.3 nën par.3.1 të KPRK-së.

Kurse i pandehuri Arton Kadrija akuzohet se me 20 mars 2020, rreth orës 14:00,  kishte transportuar trungjet e prera nga e pandehura Nela, ku kjo e fundit për këtë shërbim e kishte kontraktuar në shumë prej 10 euro, ashtu që i pandehuri me kamionin e tij, i ngarkon drunjtë në të, për ti fshehur por më pas hetohet nga Policia e Kosovës.

Me çka ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 333 par.2 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi