Dështon gjykimi për përvetësimin e parave të konsumatorëve ndaj ish-punëtorit të KEDS-it

Peje
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Janar 20, 2020

Pejë – Për të dytën herë brenda këtij muaji, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-punëtorit të KEDS-it, Arben Berisha, i cili akuzohet për përvetësim gjatë detyrës dhe mashtrim të konsumatorëve.

Berisha akuzohet se në cilësinë e inkasantit të kompanisë KEDS, kishte marrë të holla nga konsumatorët për pagesa të rrymës, e të cilat i kishte përvetësuar për vete.

Përveç kësaj, Berisha akuzohet se në vazhdimësi kishte mashtruar konsumatorët duke u paraqitur si punëtor i KEDS-it, edhe pse atij i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e 9 janarit kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së prokurorit, Haxhi Sinanaj, ndërsa seanca e së hënës për shkak të mos prezencës së dëshmitarëve.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Sylë Lokaj, dëshmitari Mujaj është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mosardhjen nuk e ka arsyetuar, ndërsa dëshmitarja Nita Zekaj, sipas raportit policor ndodhet jashtë shtetit.

Në këtë seancë, ishte i pranishëm prokurori Sinanaj, i akuzuari Berisha, me mbrojtësin e tij Selim Lajqi.

Seanca e radhës është caktuar më 21 janar 2020, nga ora 11:00.

I akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 20 mars 2019, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 22 shkurt 2019, e ngarkon të pandehurin Arben Berisha se ka kryer dy veprat penale, “përvetësim në detyrë” dhe “mashtrim”.

Ai akuzohet se në periudhën kohore nga 19 dhjetor 2017, deri më 2 mars 2018, në Pejë dhe Istog, përkatësisht në shtëpinë dhe lokalet e të dëmtuarve Ramë Mujaj, Qamil Kadrija, Egzon Gashi dhe Nita Zekaj, si person zyrtar i kompanisë “KEDS”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë financiare, në vazhdimësi kishte përvetësuar pasurinë, e cila i është besuar për shkak të detyrës.

Aktakuza e Prokurorisë përshkruan veprimet e të pandehurit Berisha ashtu që ai kishte vënë në lajthim të dëmtuarin Ramë Mujaj nga Peja, duke ia marrë shumën e të hollave prej 70 euro, Qamil Kadrija shumën prej 50 euro, Egzon Gashit shumën prej 120 euro si dhe Nita Zeka shumën prej 50 euro, të gjitha këto kinse në emër të inkasimit të energjisë elektrike dhe në vend se t’i deponojë pranë zyrave të KEDS-it, i përvetëson për vete.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale të përvetësimit në detyrë, nga neni 425, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Kurse, dispozitivi i dytë i akuzës e ngarkon të pandehurin se më 28 maj 2018 në Istog, pasi kompania e KEDS-it kupton për veprimet e të pandehurit dhe ia ndërpret marrëdhënien e punës, më pas i pandeuri keqpërdor uniformën e punës dhe paraqitet si punëtor i KEDS-it, me ç’rast i mashtron  të dëmtuarit Shaban Seferaj dhe Imer Veselaj, duke marrë prej tyre shumën e të hollave prej 70 eurove, kinse në emër të inkasimit të energjisë elektrike.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit nga neni 335, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi