Dështon gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit dhe ish-studentit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike

Pallati
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shtator 15, 2020

Prishtinë –  Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj zyrtarit të Shërbimit të Studentëve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ardian Jonuzaj dhe ish-studentit të këtij fakulteti, Agron Limani.

Jonuzaj, është duke u akuzuar për veprat penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”, ndërsa ish-studenti i këtij fakulteti, Agron Limani, po akuzohet për veprat penale “dhënia e ryshfetit” dhe “falsifikim i dokumentit”.

Ky rast, fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën Supreme, tani kjo lëndë ka kaluar te gjykatësja Alltëne Murseli.

Kjo e fundit tha se trupi gjykues ka ndryshuar dhe çështja fillon rishtazi, si dhe pyeti palët nëse janë të pajtimit që veprimet e ndërmarra në shqyrtimet e kaluara të konsiderohen të lexuara.

Lidhur me këtë, avokati Asdren Hoxha, i cili mbron të akuzuarin Limani, bëri të ditur se nuk i kanë pranuar procesverbalet nga ana e gjykatës.

Kurse, gjykatësja Murseli bëri të ditur se ajo nuk ka njohuri lidhur me këtë pasi lënda ka qenë e gjykatësit Ibrahimi, si dhe shtoi se nëse palët dëshirojnë, seanca mund të shtyhet dhe të njëjtët do të pajisen me procesverbale.

“Është e drejtë e juaja, nuk ua shkeli të drejtat palëve në procedurë”, ka thënë gjykatësja.

E më pas, avokati Hoxha deklaroi se bëhet fjalë për një procesverbal, për një seancë që nuk është mbajtur dhe në të nuk janë ndërmarrë veprime procedurale.

Pas kësaj, ai deklaroi se nuk sheh arsye për mos mbajtjen e seancës, përkatësisht mos hapjen e shqyrtimit kryesor.

“Ngase nga përbërja e trupit të kaluar gjykues ekziston vetëm një procesverbal i datës 14 tetor 2019 që flet për shtyrje të seancës në mungesë të prokurores, e cila ka paralajmëruar gjykatën që do të mungojë dhe në atë procesverbal nuk është ndërmarr asnjë veprim procedural, gjë që mos pajisja me të njëjtin në këtë moment nuk përbën arsye për shtyrje dhe ne së paku sot gjithnjë sipas vendimit tuaj mund të procedojmë së paku me fjalën hyrëse”, ka thënë avokati Hoxha.

Në anën tjetër, Afrim Salihu, avokati i të akuzuarit Jonuzaj, ka thënë se ai nuk posedon asnjë shkresë se çfarë veprime janë ndërmarrë në seancat paraprake, andaj kërkoi që kjo seancë të shtyhet.

Gjithashtu, ai u deklarua edhe për një nga dispozitat e aktit akuzues.

“Ka qenë në seancën e parë një bashkëbisedim mes prokurores dhe gjyqtarit Hamdi, te dispozita e falsifikimit, për të njëjtat dokumente, të njëjtën kohë akuzohen dy veta, nuk është e mundur. Kjo ka qenë kërkesa e kryetarit të trupit gjykues me precizu se kush e ka kryer falsifikimin pasi nuk munden dy persona të njëjtën kohë”, ka thënë ai.

Ndryshe, ai ka propozuar që në seancën e ardhshme të ftohet në cilësi të dëshmitares, sekretarja e fakultetit në fjalë Luljeta Etemi dhe dekani i këtij fakulteti Enver Hamiti.

Lidhur me këtë propozim, prokurorja Dulina Hamiti ka deklaruar se për këtë i mbetet gjykatës të vendos, ndërkaq avokati Hoxha e ka kundërshtuar këtë propozim. Kurse, trupi gjykues e ka refuzuar këtë propozim.

Në këtë seancë ka munguar dëshmitarja Kaltrina Bulliqi, për të cilën gjykata nuk kishte prova se është ftuar në mënyrë të rregullt.

Pasi u aprovua propozimi i avokatit Salihu, kjo seancë është shtyrë dhe pritet të mbahet me 2 tetor, me fillim nga ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 29 mars 2019, i akuzuari Ardian Jonuzaj, në cilësinë e zyrtarit të Shërbimit të Studentëve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, me 20 mars 2018 e kishte pajisur të akuzuarin Agron Limani me dy certifikata të falsifikuara, me qëllim që i njëjti të pajiset me diplomë universitare.

Në aktakuzë thuhet se me 2 mars 2018, e kishte pajisur me certifikatën e notave, ndërsa me 20 mars 2018, me certifikatën e diplomës Bachelor i Inxhinierisë Elektrike, mirëpo ishte vërtetuar se këto dy certifikata nuk ishin lëshuar në mënyrë të rregullt, pasi ishin verifikuar në librin e protokollit se këto certifikata nuk ishin regjistruar.

Sipas aktit akuzues, Jonuzaj në kompensim të lëshimit të këtyre certifikatave kishte marrë shumën prej 5000 euro nga i akuzuari Limani.

Ndërkaq, sipas prokurorisë, i akuzuari Agron Limani si student i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, i kishte dhënë ryshfet të akuzuarit Jonuzaj shumën prej 5000 euro, me qëllim që të pajisjet me certifikatën e notave dhe të diplomës.

Në aktakuzë thuhet se Limani ishte pajisur me këto certifikata dhe i kishte prezantuar në fakultet, mirëpo me vendim të 20 dhjetorit 2018, ai nuk kishte arritur të pajiset me diplomë, duke u përjashtuar përgjithmonë nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Prokuroria të akuzuarin Jonuzaj e ngarkon me veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”, ndërsa i akuzuari Limani me veprat penale “dhënia e ryshfetit”, dhe “falsifikim i dokumentit”. /BetimipërDrejtësi