Dështon gjykimi për keqpërdorim pozite ndaj ish-teknikut të pyjeve në Suharekë

Muharrem Basha (1)
Author

Raporton: Avni BERISHA

Dhjetor 11, 2019

Prizren – Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-teknikut të pyjeve në Komunën e Suharekës, Muharrem Basha, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e seancës së paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte mungesa mbrojtësit të të akuzuarit Basha, avokati Bashkim Nevzati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Basha, ka thënë se mbrojtësi i tij i caktuar sipas detyrës zyrtare, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe më nuk do të merr pjesë në shqyrtimet gjyqësore, duke kërkuar nga gjykata që t’i caktohet një avokat tjetër sipas detyrës zyrtare.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 17 janar 2020, në ora 13:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngritur më 27 shkurt 2019, Muharrem Basha, akuzohet se më 13 korrik 2018, në cilësinë e personit zyrtar si teknik i pylltarisë, në Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), në Komunën e Suharekës, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër.

Sipas organit të akuzës, ai në kundërshtim me dispozitat ligjore që burojnë nga udhëzimi administrativ i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ligjit për Pyje të Kosovës, ai e pajisë qytetarin Shefket Aliaj me fletë-përcjellje dhe i lejon atij transportimin e thëngjillit, me ç’rast i shkakton dobi këtij qytetari duke e lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi