Dështon gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Pejë

14 janar
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Janar 14, 2020

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të martën, ka dështuar të mbahet gjykimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi.

Dashi akuzohet se gjatë periudhës 2014-2016, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Arsyeja e dështimit të këtij gjykimi, ishte mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Dashi, avokatit Imer Beka.

Kryetarja e trupit gjykues Lumturije Muhaxheri, ka deklaruar se një ditë më parë i akuzuari ka sjell autorizimin për angazhimin e avokatit të ri dhe për këtë arsye, ai nuk ka arritur të njoftohet me kohë për mbajtjen e kësaj seance.

“I pandehuri me 8 janar 2020, me këtë drejtim e ka njoftu gjykatën se më nuk është mbrojtës i tij avokati Isa Osdautaj, dhe me 13 janar 2020, gjykatës i ka arritur autorizimi që tani e tutje, në këtë çështje do të jetë avokat me autorizim, Imer Beka”, ka thënë Muhaxheri.

Lidhur me këtë, i akuzuari Dashi, ka propozuar që seanca e së martës dhe ajo e paraparë për të mërkurën të shtyhen për një datë tjetër, me qëllim që avokati i tij të përgatitet për këtë çështje penale.

Shtyrjen e gjykimit nuk e ka kundërshtuar as prokurori Ali Ukaj, e më pas e ka aprovuar edhe gjyqtarja Muhaxheri.

Seancat e radhës janë caktuar më 20 dhe 21 shkurt 2020, në ora 10:00.

Kjo seancë është paraparë të fillojë rishtazi për shkak të ndryshimit të anëtarëve të trupit gjykues, të cilën tani janë duke e gjykuar Lumturije Muhaxheri, gjykatësi Sami Sharraxhiu dhe Ahmet Rexhaj.

Ndërkaq, në seancën e 15 qershor të vitit të kaluar, ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Kryetari i mëhershëm i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë kishte marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda të ngritur më 27 mars 2018,  Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv. /BetimipërDrejtësi