Dështon gjykimi për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti ndaj pylltarit në Mitrovicë

Djellza
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Dhjetor 12, 2019

Mitrovicë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka dështuar të mbahet gjykimi për keqpërdorim detyre dhe marrje e ryshfetit ndaj pylltarit, Ismet Tahiri.

Kjo për shkak të mungesës së mbrojtësit të akuzuarit Tahiri, avokatit Skender Musa si dhe dëshmitarëve Ramdan Salihu dhe Xhemajl Hajra.

I pandehuri Tahiri, për mungesën e mbrojtësit të tij, ka deklaruar se ai gjendet në Shqipëri për shkak të gjendjes shëndetësore të familjarit të tij.

Ndërsa, gjykatësi Radosllav Markoviq, ka deklaruar se dëshmitarët Salihu dhe Hajra, janë ftuar me rregull, por që mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Për shkak të mungesës së kushteve ligjore, gjykimi është shtyrë për 17 janar 2020, në ora 10:00.

Në këtë rast për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare akuzohet edhe Sylë Fejza, i cili e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar, ndërsa seancën e së enjtes nuk ka prezantuar.

Lidhur me dëshmitarin tjetër, Nimon Fejza, gjykatësi Markoviq, ka thënë se do t`i drejtohet zyrës komunale për informim për të vërtetuar nëse ai ka vdekur.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 29 nëntor 2018, Ismet Tahiri, po akuzohet se në periudhën kohore prill-maj 2016, në fshatin Zabërgj të Komunës së Mitrovicës, në cilësinë e personit zyrtar, në rastin konkret pylltar, ka pranuar përfitim për vete nga Nimon Fejza.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Tahiri, duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij, ka lejuar që personi Nimon Fejza, pa leje përkatëse të presë dru në vendin e quajtur te “Kërshat e këqij” dhe të njëjtat t’i transportojë për t’i shitur në Mitrovicë, ashtu që për çdo transporti nga Fejza, për katër raste ka pranuar shumën prej 50 euro, e që gjithsej shuma e parave të kërkuara dhe të pranuara arrijnë vlerën 200 euro.

Ndërkaq, në  pikën e dytë të aktakuzës, Ismet Tahiri po akuzohet se në kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij, pavarësisht se në cilësinë e pylltarit ka pasur për obligim që të mbrojë pyllin shtetëror nën mbikëqyrjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Tahiri nga veprimet e tij, i ka sjellë dobi Nimon Fejzës, ashtu që në katër raste drutë e prera i ka bartur me kamion dhe i ka shitur më pas në Mitrovicë, në shumë prej 500 euro për secilin, duke i shkaktuar dëm Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Me këtë, Ismet Tahiri, po ngarkohet për kryerjen e veprave penale “marrja e ryshfetit” nga neni 428, paragrafi 1 dhe veprën penale “keqpërdorim i i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pika e tretë e dispozitivit të aktakuzës, e cila i referohet të akuzuarit tjetër në këtë rast, Sylë Fejza, këtë të fundit e ngarkon me veprën penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Fejza, më 8 qershor 2016, u ka bllokuar rrugën personave zyrtarë dhe atë pylltarëve Ismet Tahiri dhe Ramadan Salihu, të cilët thuhet se ishin duke kryer detyrat e tyre zyrtare, ashtu që përderisa ishin duke lëvizur me automjetin zyrtar, i akuzuari Fejza, e kanos  pylltarin Ismet Tahiri, duke e sharë dhe duke iu vërsulur, e që siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit detyrohen që me automjetin zyrtar të futen në një rrugë anësore dhe të rikthehen përsëri në rrugën kryesore.

Me këtë,  Sylë Fejza ngarkohet me veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi