Dështon gjykimi pasi njëri s’ftohet me rregull, akuzohen se rrahën me shufra hekuri të dëmtuarit

Author

Raporton: Florentina OSMANI

Shtator 14, 2021

Podujevë – Ka dështuar gjykimi të martën shkaku se nuk është ftuar në mënyrë të rregullt Armend Zeka, i cili bashkë me Lorik e Florent Haxhiun akuzohen se në maj të këtij viti kishin rrahur Fatmir Zuka dhe Nexhat Sylejmani shkaku i një mosmarrëveshje ne komunikacion.

Gjykatësi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega Podujevë, Minir Hoti tha se gjykata nuk ka prova se Zeka e ka pranuar ftesën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Hoti tha se kjo seancë do të shtyhet deri në verifikimin e adresës së të akuzuarit Zeka nga Policia.

Në gjykimin e sotëm, në cilësinë e mbrojtëses së të akuzuarit Lorik Haxhiu, prezente në gjykim ishte avokatja Emine Statovci.

Ndërsa, aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në gjykatë e përfaqësoi prokurori Ali Ajdini.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 23 korrik të këtij viti, thuhet se më 16 maj 2021 rreth orës 06:25 në fshatin Brainë në Podujevë, të pandehurit me qëllim të shkaktimit të lëndimit trupor dhe me mjet të rrezikshëm për shkak të një mosmarrëveshjeje të atëçastshme në komunikacion, i kanë sulmuar fizikisht tani të dëmtuarit Fatmir Zuka dhe Nexhat Sylejmani.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë goditur me shufra hekuri të dëmtuarin Fatmir Zuka dhe i kanë shkaktuar thyerje të kockave të hundës dhe gjakderdhje në sinusin e nofullës së sipërme të shkaktuara.

Tutje në aktakuzë, thuhet se edhe Nexhat Sylejmanit i kanë shkaktuar thyerje në ashtin e mollzës së faqes së majtë të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë të topitur duke i shkaktuar lëndime të lehtë trupor.

Me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 par.2 lidhur me par.1 nënpar. 1.4 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Ndërkaq, në dispozitivin e dytë thuhet se në kohën dhe vendin e njejtë si në dispozitivin e parë, të pandehurit me dashje kanë dëmtuar parafangon e kamionetës së qumështores “Bylmeti”, duke e goditur me gurë, ashtu që e kanë thyer xhamin e kamionetës, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm material.   Me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321 par.1  i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.