Dështon gjykimi në rastin ku paditësja kërkon t’i njihet e drejta e pensionit për persona me aftësi të kufizuar
Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI
Prishtinë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku paditësja H.K. po kërkon që të anulohet vendimi i Ministria e Punës dhe Mirëqenies Social (MPMS)dhe t’i njihet e drejta e pensionit për persona me aftësi të kufizuar.
Me vendim MPMS, paditëses ia ka refuzuar kërkesën për njohjen e të drejtës për pension për personat me aftësi të kufizuar me arsyetimin se nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme për të qenë shfrytëzues i pensionit me pa aftësi të përhershme.
Deri te dështimi i seancës ka ardhur pasi që përfaqësuesi i paditëses, avokati Fisnik Sogojeva ka thënë se ka qenë e pamundur me të komunikoj me palën paditëse për ta realizuar ekspertizën mjekësore.
Andaj, mbi këtë bazë ai ka kërkuar nga gjykata që të shtyhet seanca, në mënyrë që i njëjti ta gjej një formë për të kontaktuar me palën paditëse.
Pas kësaj, gjykatësja e rastit Luljeta Maxhuni e ka aprovuar kërkesën e palës paditëse dhe seancën e ka shtyrë deri më 7 qershor 2022.
Sipas padisë të ushtruar më 21 shkurt 2017 thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative kërkesën e paditëses e kishte aprovuar dhe lëndën e kishte kthyer në rishqyrtim te tani e paditura.
Por siç thuhet e paditura për kundër vërejtjeve të gjykatës, kishte nxjerrë aktvendim identik me atë për të cilën gjykata veço se kishte vendosur.
Siç thuhet në padi, paditësja i plotëson të gjitha kushtet për pension për persona me aftësi të kufizuar.
Prandaj ajo kërkon nga gjykata që të anulohet vendimi i MPMS dhe ti njihet e drejta për këtë pension./BetimipërDrejtësi