Dështon gjykimi në rastin e ish-punëtores që kërkon nga KEDS-i kthimin në punë dhe kompensimin e pagave

Gjykata47
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Janar 21, 2020

Prishtinë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku paditësja Hadije Abrashi, po kërkon nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), kthimin në punë dhe kompensimin e pagave të papaguara.

Shkak i dështimit të seancës, ka qenë mungesa e paditëses Abrashi, për mungesën e së cilës, gjykatësja e rastit Hidajete Gashi ka thënë se në shkresat e lëndës nuk ka provë se ajo është ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, në seancën përgatitore, ka prezantuar përfaqësuesja e KEDS-it, Malsore Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e gjykimit, gjykatësja Gashi seancën e ka shtyrë më 20 shkurt 2020, në orën 10:30.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 31 tetor 2016, paditësja Hadije Abrashi, po kërkon nga KEDS-i, kthimin në punë dhe kompensimin e të ardhurave personale, që nga ndërprerja e marrëdhënies së punës e deri në marrjen e aktgjykimit.

Në padi thuhet se paditësja fillimisht ka qenë e punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), por pas privatizimit, kishte kaluar si punëtore e të paditurës KEDS, dhe atë sipas kontratës të lidhur më 19 shtator 2015.

Në padi thuhet se e paditura, paditësen fillimisht e kishte njoftuar se vendi i saj i punës do të mbyllet dhe pastaj ia kishte dërguar vendimin mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, më 27 shtator 2016.

Sipas padisë, paditësja kishte paraqitur ankesë pranë organit kompetent të së paditurës, kundër vendimin mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, por ankesa e saj ishte refuzuar.

Në padi, paditësja pretendon se e paditura me këtë veprim ka shkelur Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin ë Punës, Marrëveshjen  Përgjithshme Kolektive të Kosovës.

Mbi këto pretendime, paditësja me anën e kësaj padie po kërkon nga gjykata që kërkesa e saj të aprovohet dhe të detyrohet e paditura që të njëjtën ta kthej në punë dhe t’ia kompensojë pagat që nga ndërprerja e marrëdhënies së punës. /BetimipërDrejtësi