Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve që tentuan grabitjen e shtetasit të Kilit në Prishtinë

foto 1 (5)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Tetor 11, 2018

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar gjykimi ndaj të akuzuarve për grabitje në tentativë dhe lëndim i lehtë trupor, Përparim Gashi dhe Brahim Gajtani.

Arsye për mos mbajtjen e seancës ka qenë mungesa e të akuzuarit Brahim Gajtani, për të cilin gjykatësi Vesel Ismajli ka deklaruar se sipas fletë kthesës është konstatuar se ai gjendet jashtë vendit.

Në seancën e së enjtes, gjykatësi Ismajli për të akuzuarin Gajtani ka lëshuar urdhër për sjelljen me detyrim në gjykatore, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në shqyrtim fillestar.

Të pranishëm në seancën e së enjtes kanë qenë i akuzuari tjetër Përparim Gashi si dhe mbrojtësi i tij, avokati Rrezon Hoxha.

Meqenëse, nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës, gjykatësi Ismajli e shtyri seancën më 1 nëntor 2018, në ora 8:30.

Në këtë rast, të akuzuar kanë qenë edhe Valdrin Ramosaj, Valmir Ukaj, Bekim Maloku si dhe Mentor Mentor Bugujevci, ndaj të cilëve është veçuar procedura në shqyrtimin paraprak.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 3 shtator 2014, të akuzuarit Përparim Gashi dhe Brahim Gajtani, akuzohen se më 28 qershor 2014 në mesnatë, tek zona industriale në Prishtinë, në afërsi të diskotekës “Zone Club”, derisa ishin duke e transportuar me veturën “Taxi” të dëmtuarin Jose Ignacio Arios shtetas i Kilit, gjithashtu edhe të dëmtuarin Agon Qorolli, me qëllim që vetës t’i sjellin përfitim pasuror kanë arritur që t’ia marrin telefonin “Samsung” të dëmtuarit Agon Qorollit.

Sipas aktakuzës, pretendohet se të akuzuarit Gashi dhe Gajtani, pas pak momenteve, e kanë zbritur nga vetura të dëmtuarin Qorolli, në lagjen e Spitalit në Prishtinë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, pretendohet se të akuzuarit Gajtani dhe Gashi, duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshe të trupit të dëmtuarin Jose Ignacio Arios, fillimisht i kanë kërkuar para në vlerë prej 500 eurosh.

Më pastaj, siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari Jose Ignacio Arios, të akuzuarve Gajtani dhe Gashi, u kishte dhënë para në shumë prej 200  eurosh, mirëpo të akuzuarit ia kishin kthyer ato duke kërkuar shumën prej 500 eurosh, e që i dëmtuari iu kishte thënë se nuk ka para me vete, aq sa kërkonin të akuzuarit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi që i dëmtuari nuk u ka dhënë para në shumën e kërkuar, e kanë sulmuar fizikisht, duke tentuar t’ia marrin paratë në vlerë prej 7000 euro, të cilat i kishte në kuletën e tij.

Pastaj, sipas aktakuzës pretendohet, që pasi kanë filluar të lëvizin disa vetura në rrugë, i dëmtuari Jose Ignacio Arios ka arritur të kërcen nga vetura dhe arrin të shmanget prapa një muri.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Gajtani dhe Gashi përsëri kërkojnë para nga i dëmtuari Jose Ignacio Arios, por i dëmtuari arrin që të shkojë te një shtëpi e pabanuar, ku qëndron për një kohë, dhe me pastaj kishte dalë në rrugë dhe kishte kërkuar ndihmë.

I dëmtuari Jose Ignacio Arios, me të ndalur në rrugë, e ndal një veturë, të cilën e drejtonte tani dëshmitarja Selvije Reçica, e cila pastaj e njoftoi policinë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Gajtani dhe Gashi ishin kthyer në vendin ku e kishin zbritur të dëmtuarin Agon Qorolli në gjendje të dehur.

Të akuzuarit e kanë marrë të dëmtuarin Qorolli dhe kanë shkuar te banesa e të dëmtuarit Jose Ignacio Arios.

Me të arritur te banesa e të dëmtuarit Jose Ignacio Arios, të akuzuarit Gajtani dhe Gashi e kanë goditur derën e hyrjes së banesës dhe me zë të lartë kanë kërkuar para, në të cilën banesë ishte e dëmtuara Lea Bogati, e dashura e të dëmtuarit Jose Ignacio Arios, e më pas të akuzuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Gashi dhe Gajtani e kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin Jose Ignacio Arios, duke e goditur me grushte nëpër pjesë të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime të akuzuarit Gajtani dhe Gashi kanë kryer veprën penale “grabitje në tentativë” nga neni 329 i KPK – së, si dhe “ lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 i KPK – së.