Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasje në restorantin “Shega”

IMG_1621
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shkurt 22, 2021

Prishtinë – Ka dështuar seanca e paraparë të mbahej të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në vitin 2014, në restorantin Shega”.

Besim dhe Besart Istrefi akuzohen së në bashkëkryerje kishin privuar nga jeta Lutfi Saraçin dhe Nazim Gërvallën, ndërsa për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve, akuzohet edhe Jeton Saraqi.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e gjykatëses Nushe Kuka – Mekaj, e cila kishte njoftuar kryetarin e trupit gjykues, gjykatësin Vesel Ismajli se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore “Betimi për Drejtësi”.

Ismajli njoftoi palët se seanca shtyhet për kohë të pacaktuar pasi që ende nuk dihet nëse ky gjykim do të vazhdoi me trupin e njejtë gjykues.

Ndryshe, që nga kthimi në rigjykim në këtë rast ishte ndryshuar dy herë përbërja e trupit gjykues, së fundmi ky rast gjykohej nga gjykatësi Vesel Ismajli dhe dy gjykatëset Nushe Kuka – Mekaj dhe Naime Krasniqi – Jashanica, por me vendim të Kryetares së kësaj gjykate, në vend të gjykatëses Krasniqi- Jashanica ishte caktuar gjykatësi Naser Foniqi.

Shqyrtimi gjyqësor kishte filluar afro pesë muaj pasi Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.

Më 17 shtator 2019, palët kishin dhënë fjalën e tyre hyrëse, ndërsa gjatë muajve tetor nëntor dhe dhjetor kishte vazhduar procedura gjyqësore ndaj tre të akuzuarve me dëgjimin  e ekspertëve të balistikës Ilir Kukaj,  Qëndrim Topalli dhe Lutfi Raci si dhe ekspertit të mjekësisë ligjore, Flamur Blakaj.

Ndërkaq nga muaji janar 2019, gjykata vazhdimisht është përpjekur që përmes Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtarë të siguroj prezencën e dy dëshmitarëve nga Shqipëria të cilët ishin dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve në prokurori në vitin 2014, por prezenca e tyre nuk ka arritur të sigurohet.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor të vitit 2018, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Besim dhe Besart Istrefi, për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Besim Istrefi ishte dënuar me shtatë vjet burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje, kurse djali i tij, Besart Istrefi, ishte dënuar me dënim unik prej pesë vjet e katër muaj burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje dhe armëmbajtjes pa leje.

Kurse, i akuzuari i tretë, Jeton Saraçi, ishte liruar nga akuzat për tentim vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, ankesë në Gjykatën e Apelit kishin ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ushtruar ankesë me pretendimin se gjykata e shkallës së parë kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penale dhe mbi lartësisë së dënimit. Lidhur me lartësinë e dënimit, ankesë kishte ushtruar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, të ndjerit Nazim Gërvalla.

Ndërsa, lirimin nga akuza e të akuzuarit Besart Istrefi e kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, mbrojtësi i tij, avokati Haxhi Millaku, me pretendimin se aktgjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penale dhe sa i përket lartësisë së dënimit. Për të njëjtat shkaqe, kishte kërkuar lirimin e të mbrojturit të tij Besim Istrefi edhe avokati Ali Beka.

Lidhur me pretendimet e palëve, Gjykata e Apelit, më 11 prill 2019, kishte marr aktvendim me të cilin çështjen e kishte kthyer në rigjykim. Gjykata kishte vlerësuar se aktgjykimi i atakuar me ankesë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për çka kishte vlerësuar se ndikojnë në vërtetimin e gjendjes faktike.

“Aktgjykimi i shkallës së parë është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyeje për faktet vendimtare, ndërsa ato që i ka dhënë janë të pamjaftueshme për të vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë këtë çështje penalo-juridike”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e gjykatës së shkallës së dytë.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se dispozitivët e aktgjykimit janë në kundërshtim me arsyetimet, sidomos tek pjesa liruese sa i përket të akuzuarit Jeton Saraçi.

“Nëse lexohet me kujdes ky dispozitiv shihet se i akuzuari  Jeton, me provat e administruara është iniciuesi i komplet rastit, ndërsa gjykata e shkalles së parë thekson se i njëjti ka nxjerr një revole të ngjyrës së zezë të tipit të panjohur dhe e ka drejtuar atë në drejtim të të akuzuarit Besart duke e sharë dhe duke e kërcënuar, ndërsa në anën tjetër e liron nga akuza me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti ka pasur armë”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit, ndër të tjera ka kërkuar që të bëhet administrimi i provave veç e veç, ku do  të vërtetohet  se Besim dhe Besart Istrefi, a kanë vepruar në mbrojtje të nevojshme, gjegjësisht se a ka qenë sulmi i kundërligjshëm, a është dashur të zmbrapsët nga të akuzuarit, a ka qenë sulmi real dhe i atëçastshëm si dhe proporcioni me shkallën e rrezikut që ka paraqitur sulmi.

Ndryshe, sipas aktakuzës, në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit, pas një mosmarrëveshjeje të çastit në mes Jeton Saraqit, Nazim Gërvallës e Lutfi Saraçi në njërën anë si dhe Besim Istrefit dhe djalit të tij, Besart Istrefi, në anën tjetër, të dy palët kishin nxjerrë armët dhe pas të shtënave kishin mbetur të vrarë Naim Gervalla dhe Lutfi Saraqi, ndërsa ishin plagosur rëndë, Besart e Besim Istrefi.

Ndaj Saraçit, gjithashtu është marr aktgjykim refuzues për falsifikimit të dokumenteve, për shkak të parashkrimit të kësaj veprës penale.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga gjykatësi Vesel Ismajli. Në këtë aktgjykim, Ismajli ka thënë se të akuzuarin Jeton Saraçi i konfiskohet pasaporta, kurse Besim dhe Besart Istrefit u konfiskohet arma. Gjithashtu, të tre të akuzuarit janë obliguar që në emër të kompensimit të viktimave të krimit, secili të paguaj shumën prej 100 eurosh. Të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

“Ky vendim është nga deklaratat e të dëmtuarve, dëshmitarëve, provave materiale të propozuara si nga prokuroria ashtu edhe nga mbrojtja, ekspertiza mjeko-ligjore dhe ajo e Institutit të Forenzikës. Për të akuzuarit Besim dhe Besart Istrefi padyshim është vërtetuar se kanë shtënë në drejtim të Lutfi Saraçit. Edhe për vrasjen e Nazim Gërvallës është vërtetuar se kanë shtënë Blerim dhe Besart Istrefi”, ka thënë gjykatësi Ismajli, gjatë arsyetimit të aktgjykimit.

Trupi gjykues ka vendosur që ta ri kualifikojë veprën penale për dy të akuzuarit Istresi, nga vrasje e rëndë në vrasje.

“Gjykata e ka ri cilësuar vrasjen nga vrasje e rëndë në vrasje të rëndomtë pra vetëm për Gërvallën e jo për Lutfi Saraçin pasi atë vepër e ka kry në mbrojtje në nevojshme.  Por, nuk ka pasur mbrojtje të nevojshme për vrasjen e Gërvallës”, ka thënë gjykatësi Ismajli. Ai ka thënë se nuk është arritur të vërtetohen pretendimet e të akuzuarit Besart Istresi, se i akuzuari Jeton Saraçi ka pasur një armë tjetër në vendin e ngjarjes.

Sipas aktakuzës, në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit, më 2 maj 2014, pas një mosmarrëveshjeje të çastit ishin vrarë Nazim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë pronari Besim Istrefi dhe djali i tij, Besart Istrefi, të akuzuar në këtë rast.

Në aktakuzë thuhet se e gjithë ngjarja kishte filluar kur kamerierët kishin filluar përgatitjen për mbylljen e lokalit, në të cilin i pandehuri Jeton Saraçi, kishte qenë në tavolinë së bashku me Adem Dautaj dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla.

Për këtë gjë, sipas aktakuzës, Saraçi kishte reaguar dhe kishte filluar fjalosjen mes tij me Besart Istrefin, ku më pas kishin nxjerrë revolet dhe ia kishin drejtuar njëri-tjetrit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas telefonatës nga i biri, kishte ardhur ne restorant edhe Besim Istrefi, i cili ua kishte drejtuar revolen, ku më pas e kishte shtënë nëntë herë në drejtim të tani të ndjerëve Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla.

Në ato çaste, siç thuhet në aktakuzë, kishte filluar një shkëmbim i të shtënave me armë nga të dyja palët, ku si pasojë e këtij shkëmbimi, plagë vdekjeprurëse kishin marrë tani i ndjeri Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla, ndërsa Besim dhe Besart Istrefi ishin lënduar rendë.

Ne këtë proces, i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve është edhe Jeton Saraçi. /BetimipërDrejtësi