Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve lidhur me aksidentin e trenit ku kishte humbur jetën një person e ishin lënduar disa të tjerë

Drenas
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Korrik 12, 2019

Drenas – Ka dështuar të mbahet gjykimi i paraparë për të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ndaj të akuzuarve për veprën penale “mbikëqyrje e pandërgjegjshme e trafikut publik”, Izet Mailica, Ismet Sahiti, Bilall Sahit dhe Idriz Shala.

Shkak për dështimin e mbajtjes së seancës ka qenë mungesa e ekspertit të komunikacionit hekurudhor, Fitim Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i rastit Shefqet Baleci njoftoi se gjykata ka informacione se eksperti Shala, gjendet jashtë shtetit dhe për këtë arsye nuk është i pranishëm në seancën e së premtes.

Gjithashtu, gjykatësi Baleci, tha se janë njoftuar palët tjera që të mos paraqiten në seancë, për të mos krijuar shpenzime të panevojshme, pasi, sipas tij, dëgjimi i këtij eksperti për të dhënë sqarime dhe plotësime për ekspertizën e tij të përpiluar është me rëndësi për vërtetimin sa më të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike.

Seanca e radhës është caktuar më 7 tetor 2019, nga ora 9:40.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 11 dhjetor 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Izet Mailica, Ismet Sahiti, Bilall Sahiti dhe Idriz Shala, të cilët ngarkohen që secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbikëqyrje e pandërgjegjshme e trafikut publik”, nga neni 300 par.5 lidhur me par 1  të  Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 28 gusht 2008, rreth orës 8:30, treni i cili po qarkullonte në linjën hekurudhore Fushë Kosovë –Pejë, me të arritur në fshatin Çikatovë, në km18+740, i njëjti ka rrëshqitur nga binarët, e më pas edhe vagonët të cilët kanë qenë të mbushur më zhavorr.

Sipas aktakuzës, në fillim ka rrëshqitur vagoni i dytë, i tretë dhe i katërt e pastaj vagoni i pestë dhe i gjashtë dhe të njëjtit janë rrokullisur, me ç`rast shkaktohet aksident hekurudhor, e si pasojë e të cilit ka humbur jetën tani më i ndjeri A.G, ndërsa lëndime të rënda kanë marr Naim Tafilaj dhe dhe Hajdin Osmani si dhe është shkaktuar dëm material.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit në cilësinë e personave përgjegjës, Idriz Mailica, menaxher i shërbimeve të komunikacionit, i ka kontribuar aksidentit hekurudhor 40%, Ismet Sahiti, shef i Shërbimit të Mirëmbajtjes së Linjave Hekurudhore (MHL), i ka kontribuar këtij aksidenti me 30 %, Bilall Sahiti, drejtor i Trenave në Drenas, i ka kontribuar aksidentit me përgjegjësinë e tij 20% dhe Idriz Shala, shef i Njësisë për MHL në Klinë, ka kontribuar në aksidentin hekurudhorë 10%.

Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore për detyrat e punës së tyre, e nga pakujdesia, edhe pse kanë qenë në dijeni se nuk janë kryer të gjitha kontrollet e parapara sipas Rr.314, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret, përkundër faktit se kanë qenë të obliguar. /BetimipërDrejtësi