Dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje

FOTO TE UJKANI
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shkurt 8, 2019

Pejë – Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, Ujkan Metaj.

Shkak për mos mbajtjen e seancës që ishte paraparë për të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, ka qenë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Metaj, avokati Arben Kelmendi.

Kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, ka thënë se avokati Kelmendi, e ka njoftuar me parashtresë që nuk mund të jetë prezent në seancë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, e i cili ka kërkuar që seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Seanca e radhës do të mbahet më 14 mars 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 5 maj 2018, pretendohet se i akuzuari Ujkan Metaj, me 3 dhjetor 2017, rreth orës 11:25, në afërsi të fshatit  Rakosh, Komuna e Istogut, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Bajram Sadrijaj, në lidhje me detyrën zyrtare të tij, dhe e ka vu në rrezik jetën e personave të tjerë, dhe atë të dëmtuarit Sokol Januzaj.

Në aktakuzë thuhet se, përderisa i dëmtuari Bajram Sadrijaj ishte futur në autoservisin “Berati”, në Istog, i akuzuari Metaj e vëren që është futur në lokal dhe e pret tek dera dhe me të dal jashtë tenton ta sulmojë fizikisht për shkak të një fletëparaqitje që ia kishte bërë për vjedhje pylli, me ç’ rast ndërhyjnë personat e tjerë duke i larguar.

Sipas aktakuzës, i pandehuri duke u futur në kamionetën e tij, u drejtohet të dëmtuarve ”keni me ma pa sherrin” dhe pasi të dëmtuarit nisen për në shtëpitë e tyre, rrugës i pandehuri Metaj i tejkalon me veturë dhe me të arritur tek udhëkryqi i Rakoshit, ndalet në anën e majtë të rrugës, dhe me t’i vërejtur të dëmtuarit, shtënë në pushkë automatike ndaj tyre, prej të cilave të shtëna, nëntë plumba përfundojnë në pjesë të ndryshme të makinës së të dëmtuarit Bajram Sadrijaj, duke përfshirë edhe xhamin e parëm të veturës afër të dëmtuarve.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri  Ujkan Metaj, pretendohet ta ketë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë, nga neni 179 par 1, nënpar.1.9 e 1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Prokuroria po ashtu, të pandehurin Metaj e ngarkon me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 par.1 të KPRK-së, me të cilën pretendohet se e ka kryer veprën penale në ditën kritike.