Dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për rrezikim të sigurisë në vendin e punës

9620x275
Author

Raporton: Edmond MARLEKU

Shtator 9, 2019

Klinë – Për shkak të mungesës së avokatit Agron Kryeziu, si dhe dëshmitarit Avni Krasniqi, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë, ndaj të akuzuarit për vepër penale “asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”, Gjemë Tafilaj.

I akuzuari Tafilaj, ka deklaruar se mbrojtësi i tij, nuk mund të prezantojë në seancën e së hënës, me arsyetimin se gjendet në pushim vjetor, duke kërkuar që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër.

Ndërsa, gjykatësi i rastit Jashar Gashi, ka deklaruar se dëshmitari, zyrtari policor Avni Krasniqi, kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të prezantojë në këtë seancë, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Prokurori i çështjes, Astrit Gashi, nuk e ka kundërshtuar propozimin e të akuzuarit Tafilaj, për shtyrjen e seancës.

Më pas, gjykatësi Gashi, me aktvendim e ka shtyrë seancën për 14 tetor 2019, në orën 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 23 gusht 2018, Gjemë Tafilaj, po akuzohet se më 30 mars 2018, rreth orës 10:50, në fshatin Shtaricë të Klinës, pikërisht në pronën e të akuzuarit, i cili në cilësinë e punëdhënësit, duke qenë përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, ku nga pakujdesia nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës, dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve.

Në aktakuzë thuhet se punëtorit Ahmet Krasniqi, i cili punonte tek tani i akuzuari, nuk ia siguron pajisjet personale mbrojtëse, rrobat e punës dhe meqenëse i njëjti kishte këmbët e lagura, pasi kishte të mbathura atlete, e të cilat nuk ishin adekuate për punë, dhe në momentin kur e kap pompën e betonit, nga elektriciteti i krijuar i njëjti pëson lëndime të lehta trupore.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, Gjemë Tafilaj, akuzohet se ka kryer vepër penale “asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi