Dështon gjykimi ndaj shtetasit serb që akuzohet për përgatitje të veprave terroriste ose atyre kundër sigurisë së Kosovës

IMG_2576
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Qershor 26, 2020

Prishtinë – Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të premten, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Srba Antiq, i akuzuar për përgatitje të veprave terroriste ose veprave kundër sigurisë së Republikës së Kosovës, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.

Si arsye për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli ka njoftuar se gjykatësi Kurtaj ka pasur një urgjencë familjare, andaj edhe nuk mund të prezantojë në seancë

Me të kuptuar se trupi gjykues nuk do të jetë në përbërje të plotë, gjykatësi Konxheli tha se kishte njoftuar palët, prokurorin e rastit, mbrojtësin dhe se kishte revokuar edhe urdhëresën për shoqërimin e të akuzuarit Antiq, nga qendra e paraburgimit.

“Sot paradite, njëri nga anëtarët e trupit gjykues, papritmas ka pasur një rast në familje, urgjent, dhe është detyruar që të shkojë, kështu që meqë trupi gjykues nuk do të jetë në përbërje të plotë, kemi konstatuar, e kemi parë të udhës që ti njoftojmë palët, prokurorin e çështjes, mbrojtësin dhe e kemi revokuar edhe urdhëresën për shoqërim të të akuzuarit”, bëri të ditur gjykatësi Konxheli.

Shtyrjen e kësaj seance, ky gjykatës e ka arsyetuar edhe me faktin se meqë ky proces gjyqësor është në fund, të mos ndryshohet trupi gjykues dhe të pengohet fillimi i shqyrtimit gjyqësor rishtas.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 15 korrik, nga ora 13:15.

Ndryshe, në seancën e së premtes gjykata kishte planifikuar dhënien e fjalës përfundimtare nga palët.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 1 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Srba Antiq për shkak të veprave penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par.3 të KPRK-së, “mashtrimi” nga neni 335 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së dhe veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 12 korrik 2018, nga Posta e Serbisë nr.1 në pjesën veriore të Mitrovicës, i akuzuari Srba Antiq, ia ka dërguar një pako të dëmtuarit Radomir Repanoviq në fshatin Osojan, Komuna e Istogut, e në të cilën pako gjendeshin një pistoletë e tipit “CZ Vzor 50” 7.65 mm, me një karikator me gjashtë fishekë, 11 pako ampula të llojit “tramdalol”, pesë pako me ampula të llojit “trodon”, 18 pako me tableta “bensedin” dhe një pamflet të formatit “A4”, me logo të Serbisë, me titull “Vrhovna Komanda Oslobofilaqke Vojske Kosova i Metohije”.

PSRK-ja pretendon se përmes kësaj pamflete bëhej thirrje për të dëmtuarin dhe qytetarët tjerë serb si: Momir Radenkoviq, Begolub Portiq, Sasha Portiq, Millosh Nedelkoviq, Millan Pavlloviq, Dragana Pantiq etj, që të bartin armë nga depo të ndryshme në Mitrovicë, me qëllim që të ndërmerren sulme dhe të përdorej dhunë fizike ndaj qytetarëve serbë, në mënyrë që para bashkësisë ndërkombëtare t’i fajësojnë shqiptarët.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Srba Antiq akuzohet se nga viti 2017 në vazhdimësi, ka mashtruar shumë qytetarë, në atë mënyrë që përmes paraqitjes së fakteve të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka shfrytëzuar situatën e disa qytetarëve serb, duke u prezantuar si zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi dhe si përfaqësues i organizatës për të sëmurët me diabet.

Sipas kësaj akuze, i akuzuari Antiq paraprakisht u ka marrë shuma të ndryshme parash, si të dëmtuarit Radomir Repanoviq shumën prej 7000 euro, të dëmtuarit Srgjan Radenkoviq shumën prej 2000 euro, Momir Radenkoviq 5000 euro dhe shumë të tjerëve u kishte kërkuar para për punësimin e tyre, por për shkak të shumave të larta nuk kanë pasur mundësi t’ia japin.

Ndërsa, sipas dispozitivit të tretë, më 12 korrik 2018, ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armë në mënyrë të paautorizuar, në atë mënyrë që pistoletën e tipit “CZ Vzor 50”, 7.65 mm, me një karikator e ka dërguar përmes postës së Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, e ka futur në një pako dhe e ka dërguar në emër të Radomir Repanoviq në fshatin Osojan, ashtu që i njëjti armën e ka lajmëruar në polici, e cila edhe është konfiskuar. /BetimipërDrejtësi