Dështon gjykimi ndaj policëve se lejuan kundërligjshëm të hynin pako me dredhëza

Ismet Deva Foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Gusht 23, 2019

Gjakovë – Mungesa e përfaqësuesit nga zyra ligjore e Doganës së Kosovës, ka bërë që të dështojë vazhdimi i seancës së shqyrtimit gjyqësor kundër policëve kufitarë, Ismet Deva dhe Bit Shala, të akuzuar për keqpërdorim detyre.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika tha se Gjykata me shkresë të veçantë i është drejtuar kësaj zyre me kërkesë që të japin shpjegime me kompetencat e zyrës së vlerësimit apo të jetë prezentë një përfaqësues i tyre në seancë, mirëpo sipas gjykatësit Zika të njëjtit nuk janë përgjigjur as me shkrim, e as nuk  janë prezent në Gjykatë.

Prokurori Ramiz Buzhala, propozoi që kjo seancë të shtyhet dhe që të bëhet përpjekje nga ana e Gjykatës dhe Prokurorisë që përfaqësuesi i zyrës ligjore të Doganës së Kosovës të përgjigjet me shkrim apo të jetë prezent në seancë e ardhshme.

Mbrojtësi i të akuzuarit Deva, avokati Meshari Selimaj lidhur me propozimin e prokurorit për shtyrjen e seancës tha se edhe në seancën e kaluar e ka theksuar se është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit një zyrtar i lartë doganor, ku e kanë vlerësuar të panevojshëm propozimin e prokurorit, por që në fund ia kanë lënë në vlerësim të Gjykatës.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Genc Juniku tha se Gjykata le ta vlerësojë se a është e nevojshme që të ftohet edhe njëherë dëshmitari apo jo.

Më pas, seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar deri sa të sigurohet prova me shkrim nga zyra ligjore e Doganës së Kosovës apo të sigurohet prezenca e përfaqësuesit të tyre në seancë.

Në seancën fillestare të mbajtur më 12 prill të këtij viti dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohen.

Sipas aktakuzës së ngritur me 20 mars 2019, Ismet Deva dhe Bit Shala, akuzohen se më 6 prill 2018, rreth orës 20:20, në cilësinë e personave zyrtar, zyrtarë policorë në pikëkalimin kufitar në Qafë Prush, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që të pandehurit duke ushtruar detyrën zyrtare dhe autorizimin e tyre kanë lejuar të hynin në territorin e Republikës së Kosovës dy automjete të ngarkuara me mallra komerciale, duke mos i regjistruar në sistemin SIMS, dhe atë automjetin e markës “Citroen Jumper Furgon”, të cilin e drejtonte Muhamet Tahiri, në të cilin kishte ngarkuar lloje të ndryshme të perimeve, frutave dhe fidanëve të vogla, si dhe automjetin e markës “Vë Cady Pick Up”, të cilën e drejtonte Bajram Gjoka në të cilin kishte ngarkuar 40 kuti me dredhëza, mallra këto që hynin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, edhe pse në atë kohë në atë pikëkalim kufitar nuk kishte doganier si kompetent për të vlerësuar dhe lejuar hyrjen e mallrave komerciale.

Sipas aktakuzës, shtetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej 564.60 euro.

Ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit public” nga neni 422 parag.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi