Dështon gjykimi ndaj oficerit korrektues që dyshohet se kishte marr ryshfet për lirim të parakohshëm nga burgu të një personi

foto
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Qershor 25, 2020

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, Mentor Avdylaj, i paraparë të mbahej të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Avdylaj, aktualisht i suspenduar, po akuzohet se kishte marr 2,000 euro ryshfet, me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të një personi që ishte në vuajtje të dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit po akuzohet Astrit Lajqi.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica, për të akuzuarin Avdylaj nuk kishte provë se ishte pranuar në mënyrë të rregullt, ndërsa për të akuzuarin Lajqi tha se kishte lëshuar urdhër arrest, por nuk kishin marrë konfirmim nga policia për këtë urdhëresë të lëshuar nga kjo gjykatë.

Ndërkaq, sipas gjykatëses Krasniqi-Jashanica prokurori i rastit Reafet Halimi ishte paraqitur për të marrë pjesë në këtë seancë, mirëpo në mungesë të të akuzuarve, kjo seancë është shtyrë, ndërsa ajo e radhës pritet të mbahet me 16 korrik 2020, në ora 09:30.

Ndryshe, Avdylaj si oficer i Shërbimit Korrektues në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, në seancën e mbajtur më 27 dhjetor 2018, ishte deklaruar i pafajshëm.

I pafajshëm ishte deklaruar edhe i akuzuari Lajqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, i akuzuari Avdylaj kishte qenë nën masën e paraburgimit, e cila i ishte hequr nga gjykatësi Mustaf Tahiri pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar ndaj tij.

Mirëpo, pasi që gjykatësi Tahiri ishte transferuar sërish në Gjykatën Themelore të Ferizajt, pas skadimit të mandatit si gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, rasti ka kaluar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Avdylaj për veprën penale “marrje e ryshfetit”, dhe Astrit Lajqit për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit.

Sipas aktakuzës, Avdylaj më 12 mars 2018, në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishte pranuar ryshfet përmes të akuzuarit Lajqi, nga i dëmtuari Bajram Hoti.

Në aktakuzë thuhet se Avdylaj 2,000 euro ryshfet i kishte pranuar nga Lajqi, në pikën e karburantit “Shala Petrol”, në hyrje të Pejës, me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të Shpejtim Hotit, i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Ndërsa, i akuzuari Lajqi dyshohet se kishte marrë 2000 euro ryshfet nga Bajram Hoti, në prani të dëshmitarit Sherafedin Qerimi dhe ia kishte dërguar Avdylajt. /BetimipërDrejtësi