Dështon gjykimi ndaj ish-zyrtarit të “ProCredit Bank” dhe të tjerëve për dallaveret në dhëniet e kredive

aaa
Author

Raporton: Medina KADRIU

Gusht 28, 2019

Prishtinë – Mungesa e të akuzuarve Bahri Gashi, Hazir Hyseni, Besim Hyseni e Albion Sokoli, të cilët po akuzohen për krim të organizuar lidhur me veprën penale të mashtrimit, është bërë shkak që të dështojë seanca e shqyrtimit fillestar, e paraparë të mbahet të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Bashkë me ta, po akuzohen edhe Kenan Behrami, Astrit Ilazi, Pajtim Bellopoja, Bahri Fazliu, Arben Verbovci dhe Sami Salihu.

Kenan Ibrahimi po akuzohet për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit dhe mashtrim, si dhe në dispozitivin e dytë të akuzës akuzohet për  krim të organizuar lidhur me veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit dhe mashtrimit.

Ndërkaq, të akuzuarit tjerë po ngarkohen me veprën penale krim i organizuar lidhur me mashtrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se në bashkëkryerje të dëmtuarës “ProCredit Bank” i kanë shkaktuar dëm në shumë të përgjithshme prej 613,557,49 euro, e ndërsa vetes i kanë sjell dobi pasurore në shumë të përgjithshme prej 440, 471,11 euro.

Sa i përket të akuzuarit Bahri Gashi, gjykatësi Vallon Kurtaj, ka deklaruar se nuk ka shkresë që e ka pranuar ftesën.

Ndërkaq, për Hazir Hysenin, avokati i tij sipas detyrës zyrtare, Isak Hyseni, deklaroi se ka bërë përpjekje që të kontaktojë me të mbrojturin e tij, mirëpo nuk ka arritur.

Kurse, për të akuzuarin Albion Sokoli, mbrojtësi i tij ka deklaruar se jo zyrtarisht ka informata se gjendet në burg në vuajtje të dënimit.

Gjykatësi Kurtaj, ka deklaruar se gjykata do të tentojë të sigurojë prezencën e të akuzuarve, ku fillimisht do të kontaktohet me ta para se të lëshohet urdhëresë për sjellje me forcë nga ana e policisë., e nëse nuk bien në kontakt do të bëhet verifikimi i adresave e sigurimi i tyre.

Ai deklaroi se do të verifikohet edhe nëse i akuzuari Sokoli është duke vuajtur dënim e do të kërkohet nga drejtoria e burgjeve që të sillet në gjykatore.

Ai deklaroi se gjykata nuk e di saktë kur do të mundet të sigurojë prezencën e të akuzuarve ngase kjo varet nga sigurimi e verifikimi i të dhënave, prandaj nuk ka caktuar datë të ardhshme për mbajtje të kësaj seance.

Mirëpo, deklaroi se palët do të ftohen me ftesa të rregullta për seancën e ardhshme.

Ndryshe, ky rast kishte qenë kompetencë e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, mirëpo me funksionalizimin e Departamentit Special, kjo kompetencë i ka kaluar këtij departamenti në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 20 tetor 2014,  i pandehuri Kenan Behrami, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare ka shpërdorur pozitën e vet zyrtare të këshilltarit të lartë për klientë për biznese bujqësore në “ ProCredit Bank” në Vushtri.

Këtë thuhet se e ka bërë ashtu që me 25 shkurt 2011, ia ka mundësuar klientit të bankës, dëshmitarit Besnik Osmani, i cili nuk i ka përmbushur kushtet për marrjen e kredisë që ta merr kredinë bujqësore në shumë prej 10.100 euro, edhe pse e ka ditur që i njëjti nuk ka mundësi që ta paguajë atë kredi, në atë mënyrë që ka tejkaluar kompetencat zyrtare dhe me dashje ka vepruar në kundërshtim me procedurat, standardet dhe politikën e menaxhimit të rrezikut kreditor të bakës së lartcekur.

Tutje, thuhet se në dokumentacionin zyrtar të bankës ka vendosur të dhënat e rrejshme duke prezantuar gjendje të rrejshme materiale të dëshmitarit si dhe aktivitetit të tij të rrejshëm financiar, ka prezantuar kolateralin fiktiv, i cili nuk ka ekzistuar fare, traktor “Ferguson”, rimorkio, kos sip 165, pllug + trina, tetë krerë lopë, pesë viça, ndërsa me rastin e vendosjes në Komitetin e Kredisë së bankës ka propozuar aprovimin e kredisë, duke e vënë në lajthim anëtarët tjetër të komitetit, dëshmitarin Hasan Lahu me paraqitjen e fakteve të rrejshme, me ç ‘rast të njëjtin e ka shtyrë që të veprojë në dëm të pasurisë të së dëmtuarës “ProCredit Bank”, ashtu që në këtë mënyrë Besnik Osmanit i ka sjellë dobi pasurore në shumën e lartcekur.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “mashtrimi”

Në dispozivitin e dytë të akuzës, përshkruhen veprimet e të pandehurve Kenan Behrami, Bahri Gashi, Hazir Hyseni, Besim Hyseni, Pajtim Bellopoja, Astrit Ilazi, Sami Salihu, Arben Verbovci, Bahri Fazliu dhe Albion Sokoli.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Kenan Behrami, në fillim të vitit 2012 në Vushtrri, e ka formuar e pastaj edhe zgjeruar grupin kriminal të strukturuar dhe të organizuar, të përbërë prej të pandehurve Bahri Gashi dhe Hazir Hyseni, me të cilët i pandehuri Kenan ka pasur kontakte të rregullta, direkte dhe përmes të cilëve i ka drejtuar veprimet e anëtarëve të tjerë të grupit, pastaj Fatmir Azemi, i cili gjendet në arrati, Pajtim Bellopoja dhe Astrim Ilazi, pas tyre Besim Hyseni, Sami Salihu, Arben Verbovci, si dhe Bahri Fazliu, ndërsa dhe Albion Sokoli, aktivisht ka marrë pjesë në aktivitetet e tyre, ashtu që disa herë ka paguar këste të kredive, duke kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda nga ky grup kriminal, i cili ka vepruar sipas detyrave dhe roleve paraprakisht të përcaktuara nga i pandehuri Kenan Behrami.

Behrami thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare e ka shpërdorur pozitën zyrtare në mënyrë të përshkruar në dispozitivin e parë, si dhe duke i trajtuar klientët e papunësuar si klientë bujqësor, duke mos i vizituar klientët e rinj, duke pranuar si bashkë huamarrës persona të cilët kredi-marrësi nuk i ka njohur fare, si dhe gjithashtu në cilësi të anëtarit të komitetit të kredisë, duke vënë në lajthim anëtarë tjerë të komitetit me paraqitjen e fakteve të rrejshme dhe duke i shtyrë që  të veprojnë në dëm të pasurisë të së dëmtuarës.

Ndërsa, të pandehurit tjerë të lartcekur, anëtarët e grupit kriminal të të pandehurit Kenan Behrami, me qëllim që vetës t’i sjellin përfitim pasuror me paraqitjen e rreme dhe fshehjen e fakteve kanë  sjell në lajthim një numër të madh të qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë që të paraqiten në “ProCredit Bank” si kredi-marrës formal dhe të marrin në emër të tyre kredi bujqësore me kompensim të shumës së vogël të të hollave, në atë mënyrë që  të njëjtëve i kanë treguar të pavërteta se kinse kredia është donacion nga bota e jashtme, të njëjtën nuk janë të obliguar ta paguajnë vet dhe do të fshihet pas gjashtë muajve ose se do të nënshkruajnë kredinë vetëm si “dëshmitarë”, edhe pse e kanë ditur se kjo nuk është e vërtetë.

Tutje, thuhet se pas kryerjes së procedurës së marrjes së kredisë, në mënyrë të përshkruar si më lartë, në afatin shumë të shkurtë, pasi që kredi-marrësi me të hollat e kredisë ka dal nga banka, e tërë shumën ia ka dorëzuar anëtarit të trupit të organizuar kriminal, i cili atë kredi-marrës e ka mashtruar dhe ia ka dhënë një shumë të vogël, të lartpërmendur të të hollave, një pjesë e të hollave ka shkuar për pagimin e kësteve të arritura sipas kredive të aprovuara më herët, një pjesë iu ka shkuar anëtarëve të grupit kriminal, ndërsa pjesa më e madhe e parave i ka shkuar të pandehurit Kenan Behrami, kurse në shumë raste ky i pandehur anëtarët e grupit kriminal i ka shpërblyer me automjete, të cilat i ka sjellë nga Gjermania, ndërsa të njëjtit, pastaj i kanë shitur në Kosovë.

Në vijim të akuzës thuhet se duke shpërdorur pozitën e tij zyrtare dhe duke vënë në lajthim personat e lartcekur -zyrtarë të bankës, i pandehuri Kenan Behrami, më 16 janar 2012, ia ka mundësuar dëshmitarit Besnik Osmani që të merr kredinë në shumë prej 15.000 euro, të cilat i njëjti i ka marrë pasi është sjell në lajthim nga ana e të pandehurit Bahri Gashi.

Tutje, thuhet se me 8 mars 2012, ia ka mundësuar të pandehurit Bahri Gashi që të marr kredinë bujqësore në shumë prej 12.000 euro, si dhe më 23 janar 2013, kredinë në shumë prej 25.000 euro, në emër të fermës së lopëve “Gashi”, ndërkaq më 24 prill 2012, thuhet se i ka mundësuar dëshmitarit Nexhat Hyseni që ta merr kredinë bujqësore në vlerë prej 5.500 euro, ndërsa me 25 tetor 2012, kredinë në shumë prej 3.500 euro, të cilat i njëjti i ka marrë pasi është sjell në lajthim nga ana e të pandehurit Bahri Gashi.

Më 20 dhjetor 2012, thuhet se duke i udhëzuar anëtarët e grupit të vet kriminal se si ta paraqesin kolateral të rrejshëm dhe bashkë huamarrësin e huaj si anëtar të familjes së kredi-marrësit, si dhe duke shfrytëzuar ndikimin personal kolegial, e ka sjell në lajthim kolegun, këshilltarin e klientëve për biznese bujqësore, Besart Merovci që të aprovoj kredinë në shumë prej 6.000 euro për dëshmitarin
Viktor Morina, të cilën e ka mashtruar Bahri Gashi.

Në aktakuzë janë të përshkruara edhe shumë raste të tjera që thuhet se kanë ngjarë në vitin 2012 e 2013.

Tutje, thuhet se të pandehurit në bashkëkryerje të dëmtuarës “ProCredit Bank”, i kanë shkaktuar dëm në shumë të përgjithshme prej 613,557,49 euro, e ndërsa vetes i kanë sjell dobi pasurore në shumë të përgjithshme prej 440, 471,11 euro.

Me këto veprime, i pandehuri Behrami, akuzohet se ka kryer veprën penale “krim i organizuar” në lidhje me veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit” dhe “mashtrim” . Ndërkaq, të akuzuarit tjerë veprën penale “krim i organizuar” në lidhje me veprën penale” mashtrimi”. /BetimipërDrejtësi