Dështon gjykimi ndaj ish – zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, përsëri mungon dëshmitarja Erza Arifi

Gj TH Prishtine 1
Author

Raporton: Justina FRROKAJ

Korrik 24, 2020

Prishtinë – Gjykimi për dallavere në tender ndaj dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, i paraparë të mbahet të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shtyrë si pasojë e mungesës së dëshmitares Erza Arifi.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica lidhur me seancën e sotme, ka njoftuar se përveç situatës nga pandemia Covid-19, kjo seancë ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së vazhdueshme të dëshmitares Erza Arifi.

Gjykatësja Krasniqi-Jashanica ka thënë se për Arifin gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, por që sot nuk kishte pranuar ndonjë konfirmim nga ana e Policisë së Kosovës se a është zbatuar apo jo kjo urdhëresë.

E të pranishëm për seancën e sotme ishin, prokurori i shtetit Ibrahim Berisha dhe avokatët mbrojtës Adem Vokshi dhe Betim Shala.

Ndërsa seanca e radhës është caktuar të mbahet më 2 shtator 2020, në ora 9:30.

Ndryshe, Prokuroria pretendon se Xhelil Bekteshi, në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.

Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin, është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.

I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se sa ishte në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016.

Sipas aktakuzës ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim të lartë 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik, i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Besim Tahiri, akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të shtrenjtë.

Ndërsa, aktakuza të akuzuarin Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”,  e ngarkon me veprën penale “falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sallahu edhe pse e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtet. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.