Dështon gjykimi ndaj ish-drejtorit të klubit të futbollit që akuzohet se përvetësoi rreth 20 mijë euro

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Dhjetor 13, 2019

Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të premten, për të dytën herë radhazi ka dështuar të mbahet gjykimi për përvetësim në detyrë, ndaj ish-drejtorit të klubit të futbollit “Kosova” nga Vushtrria, Agron Selimi.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance, ka qenë mungesa e të akuzuarit Selimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të pandehurit, gjykatësi Bekim Veliqi, ka deklaruar se nga shkresat e lëndës nuk është vërtetuar se ai është thirrur me rregull.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykimi është shtyrë për 27 janar 2020, në ora 10:00.

Seancën e së premtes prezent ka qenë prokurori Njazi Rexha.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 24 maj 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Agron Selimi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Selimi, gjatë muajit nëntor 2010 dhe muajit mars 2011, në cilësinë e drejtorit të klubit KF ”Kosova”, në Vushtrri ka pranuar shumën prej 30 mijë euro në emër të ndihmës financiare nga PTK-ja për rimëkëmbjen e klubit, me ç ‘rast sipas prokurorisë, ka përvetësuar shumën prej 19.236,00 euro.

Me këtë, Selimi akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi i detyrës”, nga neni 425, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi