Dështon gjykimi ndaj ish-deputetit Frashër Krasniqi dhe dy të tjerëve, akuzohen se sulmuan policët për të mos lejuar arrestimin e Albin Kurtit më 2010

Pallati 11 (1)
Author

Raporton: Egzon HALILI

Tetor 10, 2019

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj ish-deputetit Frashër Krasniqi, si dhe Vlorian Molliqajt, dhe Faton Zekës, të cilët akuzohen për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Ata akuzohen se më 12 qershor të vitit 2010, në rrugën “Perandori Justinjan” në Prishtinë, afër zyrave të Lëvizjes “Vetëvendosje”, me bashkëveprim dhe me dashje kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, duke përdorur mjetet të forta si shufra, gurë, xhama, pjesë karrige, shishe dhe gjësende tjera dhe duke i penguar në kryerjen e detyrës zyrtare, gjatë operacionit për arrestimin e Albin Kurtit, ndaj të cilit siç thuhet në aktakuzë, kishte urdhër gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si shkak për dështimin e kësaj seancës të së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sipas gjykatësit Alban Ajvazi, ka qenë mungesa e tre të akuzuarve Krasniqi, Molliqaj dhe Zeka.

Gjykatësi Ajvazi ka thënë se në seancën e 24 korrikut 2019, kishte marr vendim që ndaj të akuzuarit Krasniqi të lëshohet urdhëresë për verifikim të adresës.

Ai ka thënë se ndaj të akuzuarve Molliqaj dhe Zeka ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, për të cilët sipas gjykatësit Ajvazi, nuk ka prova se ato u janë dorëzuar policisë.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi fillestar, gjykatësi Ajvazi morri vendim që kjo seancë të shtyhet.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 5 dhjetor, në ora 11:00.

Në këtë seancë, në të cilën ka marr pjesë prokurorja Fikrije Sylejmani, gjykatësi Ajvazi ka thënë se për të akuzuarin Krasniqi do të lëshohet urdhëresë për verifikim të adresës, ku atij do t’i dorëzohet ftesa, ndërsa ndaj të akuzuarve Molliqaj dhe Zeka do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim për seancën e ardhshme.

Ndryshe, me aktvendimin e 21 korrik 2016, është hedhur pjesërisht kallëzimi penal nga Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë, Njësia e Hetimeve Rajonale të 14 qershorit 2010, kundër  të dyshuarve Sali Zyba dhe Nderim Matoshit, ndërsa është vazhduar procedura penale sipas kallëzimit penale nga Policia e Kosovës ndaj Frashër Krasniqit, Vlorian Molliqajt dhe Faton Zekës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 22 korrik 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Frashër Krasniqit, Vlorian Molliqajt dhe Faton Zekës, të cilët i ngarkon me veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nga neni 317, paragrafi 2, lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Ata akuzohen se më 12 qershor 2010, në rrugën “Perandori Justinjan” në Prishtinë, afër zyrave të Lëvizjes “Vetëvendosje”, me bashkëveprim dhe me dashje kanë sulmuar fizikisht personat zyrtarë, duke i përdorur mjetet të forta si shufra, gurë, xhama, pjesë karrige, shishe etj dhe duke i penguar në kryerjen e detyrës zyrtare, gjatë operacionit për arrestimin e Albin Kurtit me urdhër të gjykatës.

Në aktakuzë thuhet se gjatë arrestimit të të akuzuarve, lëndime të lehta trupore, sipas ekspertizës mjekoligjore të 22 janarit 2014, i janë shkaktuar policit Gani Obrazhda si dhe të akuzuarve Frashër Krasniqi, Nderim Matoshi dhe Sali Zyba. /BetimipërDrejtësi