Dështojnë 11 seanca në Gjykatën Themelore në Gjilan, shkak bojkotimi i avokatëve

Gjykata Themelore ne Gjilan
Author

Raporton: Lirie ALIU

Janar 9, 2019

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, të mërkurën, është karakterizuar me disa dështime të seancave gjyqësore, të cilat kanë ardhur si shkak i bojkotimit të përgjithshëm të avokatëve mbrojtës në nivel vendi.

Shkak për bojkotimin e mbajtjes së seancave gjyqësore, ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Si shkas i rekomandimit të tillë, institucioni i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të ketë bojkotim të përgjithshëm të avokatëve nëpër institucione të drejtësisë, përfshirë gjykatën, prokurorinë dhe policinë.

Si pasojë e respektimit të këtij vendimi të OAK-ut nga avokatët mbrojtës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, të mërkurën, kanë dështuar gjithsej 11 seanca gjyqësore të konfirmuara, përfshirë ato në Departamentin e Përgjithshëm, atë Penal si dhe ato në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Një gjë të tillë, e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” disa prej gjyqtarëve të kësaj gjykate, Zyhdi Haziri, Sabedin Mushica, Rilind Sermaxhaj, Mevlide Shabani, Halil Zahiri dhe Behar Ymeri.

Ndryshe, prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Shefik Mehmeti, bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi”, se si pasojë e bojkotit të avokatëve, nuk kishte mundësi të bëj ndalimin e dy të dyshuarave për vjedhje, pasi që Oda e Avokatëve, e kishte njoftuar atë se të njëjtit janë në bojkot, ndaj dhe nuk ka mundur që të sigurohet as deklarata e dy të dyshuarave në stacion policor.

Urdhri në fjalë, që ka të bëjë me kufizimin e qasjes së avokatëve dhe palëve, është publikuar në hyrje dhe në korridoret e kësaj gjykate.