KELMENDI MOHON SE I AKUZUARI NEXHAT KRASNIQI KA NDIKUAR NË VLERËSIMET E KOMISIONIT NË RASTIN MTPT

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë (E plotësuar) – Dëshmitarja Vjollca Kelmendi, ka vazhduar me dëshminë e saj në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin MTPT-së. Ajo ka thënë që nuk ka pasur asnjë rast kur eprori i saj tani i akuzuari Nexhat Krasniqi apo dikush tjetër nga jashtë ka ndikuar në vlerësimin e ofertuesëve. Kelmendi ka thënë që komisionet vlerësuese e kanë kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur. “Komisioni e kryen punën në mënyrë të pavarur dhe ne e raportojmë menaxherin e prokurimit”, tha Kelmedi.

Më tej ajo ka folur rreth procesit të tenderimit në mënyrë të përgjithshme sepse për tenderët specifik të përmendur në aktakuzë, ajo ka thënë që nuk i kujtohet nëse ka marrë pjesë në komisione vlerësuese por ka marrë pjesë vetëm në komisione të hapjes së tenderëve. Gjatë deklaratës së saj, Kelmendi ka sqaruar që pas përcaktimit të fituesit të tenderit, është caktuar një menaxher i projektit i cili ka përcjellur punët. Sipas saj, ky menaxher është rekomanduar nga Drejtori i Prokurimit dhe vendimi për emërimin e tij është marrë nga Sekretari i Përgjithshëm. Poshtu ajo ka shtuar që në qoftëse menaxheri i projektit vlerëson se punët nuk po kryhen sipas kontratës, Drejtori i Prokurimit ka të drejtën të anuloj këtë kontratë.

Avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj, gjatë marrjes në pyetje ka theksuar që meqë dëshmitarja Kelmendi nuk ka marr pjesë në tenderët e përmendur në aktakuzë, ajo nuk po merret në pyetje në cilësi të dëshmitares por në cilësi të ekspertës. Por lidhur me këtë mendim të Rrecajt, ka reaguar Kryetarja e Trupit Gjykues, Maria Tuma, e cila ka thënë që Kelmendi po merret një pyetje si një dëshmitare e zakonshme për të treguar punët e saj si zyrtare ligjore në Departamentin e Prokurimit dhe jo si një eksperte.

Në seancën e së martës, ka përfunduar dëgjimi i dëshmitares Vjollca Kelmendit dhe sipas agjendës në seancën e rradhës e cila do të mbahet më 22 mars, do të dëgjohet dëshmitari Kemajl Mustafa.

DËSHMON VJOLLCA KELMENDI NË RASTIN E MTPT-SË

Prishtinë – Pas shumë seancave të shtyra, të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve për rastin e njohur si MTPT. Dëshmitarja Vjollca Kelmendi e cila është duke u marrë në pyetje nga Prokurori Charles Hardaway, ka deklaruar që gjatë kohës kur ajo merrte pjesë në komisione për vlerësim të tenderëve për ndërtim të rrugëve, nuk i kujtohet nëse ishte konsultuar ndonjë herë me ish-eprorin e saj, Nexhat Krasniqin. Lidhur me disa nga pyetjet e parashtruara nga prokurori, dëshmitarja është përgjigjur që nuk i kujtohen faktet e atëhershme. Në këtë rast prokurori Hardaway, ka provuar disa herë që të ja rikujtoj gjendjen e atëhershme dëshmitares, duke ja lexuar deklaratat e saj të dhëna në prokurori më datë 24 gusht 2011. Gjatë këtyre deklaratave të dhëna, dëshmitarja Kelmendi e pyetur se nëse  Drejtori i Prokurimit në MTPT në atë kohë, Nexhat Krasniqi, do të kërkonte ndonjë dokument lidhur me tenderët ajo ishte përgjigjur që kur anëtarët e komisionit për vlerësim nuk kanë qenë të sigurtë për ndonjë gjë, ata janë konsultuar me drejtorin për arsye sepse ai ka dashur të jetë i njoftuar për çdo gjë. Mirëpo, në cilësinë e dëshmitares në rastin MTPT, Vjollca Kelmendi ka deklaruar që nuk i kujtohet kjo çështje.

Dëshmitarja Kelmendi, ka rënë në kundërshtim edhe me një deklaratë tjetër të cilën e kishte dhënë në prokurori në gusht të 2011-tës, ku kishte thënë që lidhur me kriteret në bazë të së cilave përzgjedhen fituesit e tenderëve, drejtori Nexhat Krasniqi ka ndodhur ndonjëherë që u kishte thënë anëtarëve që të përcaktohen në kriterin ekonomikisht më të favorshëm. Ndërkaq, në deklaratën e dhënë seancën e së martës, ajo është përgjigjur se nuk e din se kush ka vendosur për përcaktimin e kritereve. Ajo ka sqaruar mënyrën e përzgjedhjes së fituesit të tenderëve në këtë Ministri, duke treguar që fituesit janë përzgjedhur sipas Ligjit të Prokurimit, i cili ka përcaktuar dy kritere, kriteri ekonomikisht më i favorshëm dhe i çmimi më i ulët. E lidhur me tenderët në këtë Ministri, Kelmendi ka deklaruar që janë përcaktuar në kriterin ekonomikisht më të favorshëm.

Dëshmitarja Vjollca Kelmendi ka deklaruar poashtu që Ministri atëhershëm i MTPT-së, Fatmir Limaj, i ka vizituar zyrtarët e Departamentit të Prokurimit vetëm në rastet kur ata punonin jashtë orarit, dhe jo për ndonjë gjë tjetër. E sa i përket vizitave në zyre në mes ish-Ministrit Limaj, me ish-Drejtorin e Prokurimit në MTPT, Nexhat Krasniqit, ajo është përgjigjur që nuk i kujtohet nëse ka pasur vizita të tilla.

Lidhur me pyetjet e parashtruara nga Prokrori Hardaway, ka pasur kundërshtime nga mbrojtësit Barjam Tmava, Arianit Koci dhe Tahir Rrecaj, sipas të cilëve prokurori po parashtronte pyetje sugjestive për dëshmitarën. Mirëpo, Kryetarja e Trupit Gjykues ka hedhur poshtë kundërshtimet e tyre duke lejuar prokurorin që të vazhdoj me marrjen ne pyetje të dëshmitares por duke i’a tërhequr vërejtjen që pyetjet të jenë vetëm të drejtpërdrejta.

Duke respektuar dëshirën e dëshmitares, trupi gjykues, ka ndaluar xhirimin e kësaj seance, për shkak se Kelmendi ka deklaruar që do të ndihej më rehat nëse kamerat nuk do të ishin në sallë.

Dëshmitarja Kelmendi, ka punuar si zyrtare e lartë ligjore e prokurimit në ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomit të Kosovës përgjatë viteve 2008-2010. Ajo ka shpjeguar që detyrat e saj kanë qenë përgaditja e dosjeve për tender, përgaditja e kontratave dhe marrja pjesë në komisione për hapje dhe vlerësim të tenderëve. Në këto komisione ajo kishte marrë pjesë edhe në cilësinë e kryetares dhe në cilësinë e anëtares.

Për këtë rast deri më tash është dëgjuar vetëm dëshmitari Betim Reçica, ndërkaq Vjollca Kelmendi është dëshmitarja e dytë e propozuar nga ana e Prokurorisë. Sipas aktakuzës së konsoliduar të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala dhe Nexhat Krasniqi ngarkohen për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpëtim Telaku për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe i akuzuari i fundit, Florim Zuka për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike. Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet poashtu edhe për veprën mosdeklarim i parave për fushatë. Këto vepra të përmendura në akuzë, kanë të bëjnë me gjashtë tenderë për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve nga kjo Ministri.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë