DËSHMON SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I UP-SË NË RASTIN E ENVER HASANIT

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë- Të martën ka vazhduar shqyrtimi kryesor kundër ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, njëherit ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasanit, Haki Veliut dhe Albert Rakipit.

Përgjatë kësaj seance dëshmoi Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës (UP) Esat Kelmendi, i cili njëkohësisht është përfaqësues i të dëmtuarës (UP-së) në këtë kontest.  Kelmendi tha se këtë post evka ushtruar dhe vazhdon ta ushtrojë që nga viti 2008, me përjashtim të periudhës 2010-2012 kur ishte larguar nga puna prej ish-rektorit Mujë Rugova. Ai tha se lidhur me çështjen në fjalë ishte njoftuar për herë të parë kur policia kishte kërkuar nga ai dosjen e tenderit me qëllim të ushtrimit të hetimeve përkatëse. Kelmendi ceku se materiali i përkthyer nuk ka qenë pjesë e dosjes, megjithatë ai ia kishte siguruar prokurorisë të njëjtin.

Tutje, dëshmitari Kelmendi tha se në bazë të raporteve të komisioneve UP-ja është dëmtuar rreth 48.000 euro prej ISN-së. Sipas tij pas sjelljes së faturës së dytë me vlerë prej rreth 299.000 euro nga ISN-ja, Universiteti kishte refuzuar të bëj kompensim sepse ISN-ja ka tentuar të vë në lajthim atë duke bërë kalkulimin me karaktere, kurse fatura ka pasur shkronjën “F” që ka korresponduar me fjalën “Fjalë”. Kjo shumë e majme kishte tërhequr vëmendjen e menaxhmentit të Universitetit andaj ishte formuar dhe komisioni profesional për ta adresuar këtë faturë.

Bajram Tmava, avokat i Enver Hasanit pyeti se ç’dinte dëshmitari për involvimin e klientit të tij në këtë rast.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Enver Hasani, avokati Bajram Tmava, lidhur me atë se çka dinte për involvimin e klientit të tij në këtë rast, dëshmitari tha se nuk beson se i njëjti është i përfshirë këtu. “Sa më ka rënë të punoj me Enver Hasanin ai asnjëherë s’më ka intervenuar e as që ka ditur ku gjendet zyra e financave dhe prokurimit. Duke njohur karakterin e punës së tij s’besoj të ketë ndërhyrë si rektor në këtë çështje”- deklaroi Kelmendi.

Dëshmitari njoftoi gjykatën se lidhur me këtë rast po zhvillohet një kontest civil në Departamentin Ekonomik në bazë të padisë së iniciuar nga ISN-ja. Ndërkaq, ky Departament kishte vendosur të pezullojë këtë procedurë derisa të merret një vendim në rastin penal. Kelmendi njashtu theksoi se nuk ishte i informuar për ekzistencën e ndonjë garancie bankare të regjistruar nga ISN-ja në rast të shkeljes së kontratës që kishte lidhur me Universitetin e Prishtinës.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua për datën 20 maj në ora 14:ooh ku do të thërritet ekspertja F.Tershiaku me propozimin e mbrojtësit Gazmend Nushi, që e njëjta të qartësoj disa dilema lidhur me ekspertizën e saj.

Sipas aktakuzës, Prokuroria pretendon se Enver Hasani në cilësinë e Rektorit të UP-së, Veliu në cilësi të Shefit të Zyrës së Prokurimit në UP dhe Ragipi në cilësi të Drejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN) me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për këtë Institut, kishin falsifikuar kontratën origjinale lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe dhe kishin hartuar një kontratë të re, duke shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit nga kontrata origjinale. Sipas kontratës origjinale, vlera e saj kishte qenë 500.000 euro, përkatësisht çmimi i pagesës për njësi 1000 fjalë 12.65 euro e stipuluar me nenin 17, ndërsa në kontratën e re sipas prokurorisë, kjo pjesë është ndryshuar në 1000 karaktere për 12.56 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë