Prishtinë- Ka vazhduar edhe të premten procesi gjyqësor në rastin e njohur si “KEK 2” ndaj shtatë të akuzuarve, përfshirë kryetarin e Skenderajit Sami Lushtakun dhe Drejtorin e KEK-ut Arben Gjukaj. Gjatë kësaj seance dëshmoi dëshmitari Lumljan Tolaj, – ish punëtor i kompanisë “Security Code”.
Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, Tolaj mohoi ta ketë nënshkruar deklaratën e 23 marsit të vitit 2012, të cilën deklaratë sipas prokurorisë e ka nënshkruar kompania “Security Code” në emër të punëtorëve të rekrutuar. E njëjta kishte të bënte me eksluzivitetin dhe gatishmërinë e punëtorëve për projektin e sigurimit fizik të objekteve të KEK-ut.
Dëshmitari Tolaj tha se për këtë çështje kishte dhënë dy deklarata në polici. Sipas tij, hetuesit policor të cilët e kishin intervistuar ishin Aziz Sallahu dhe Avni Reçica, nën presionin e të cilëve e kishte nënshkruar deklaratën e tij. “Më kanë thënë duhesh me nënshkruar patjetër. Mirëpo qëndroj prapa asaj deklarate”,u shprehë dëshmitari. Madje i njëjti pohoi se policët në fjalë nuk i kishin treguar ndonjë autorizim nga prokuroria për këtë intervistim.
Prokurori i’a paraqiti dy deklaratat e dhëna në polici dëshmitarit, i cili pasi i shikoi ato, pohoi se të dyja janë deklaratat e tij por që nuk i kujtohet saktësisht çfarë ka deklaruar.
Tutje, dëshmitari Tolaj, i cili që nga viti 2004 punonte në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, tha se aty e kishte njohur Hilmi Lushtakun, i cili e kishte pyetur nëse është i interesuar të punoj në kompaninë “Security Code”. Sipas tij, pozita në të cilën kishte konkurruar në këtë kompani ishte mbikëqyrës me një kontratë prej dy vjet, nga vitit 2012 deri në vitin 2014. Sipas tij, në takimin e13 dhjetorit 2012 në KEK, e kishte nënshkruar dokumentin. Ai u shprehë se deri para nënshkrimit të kontratës s’kishte pasur kontakt fizik me të akuzuarin Esat Tahirin, dhe se nga fillimi i vitit 2013 kishte filluar punën në këtë kompani. Deklarata në policia ka qenë menjëherë pas takimit në KEK.
Shqyrtimi gjyqësor në këtë rast vazhdon të martën dhe të enjten e ardhshme me dëshminë e dëshmitarëve Arben Qerkini, Bahri Nuredini , Hilmi Lushtaku dhe Agron Isufi.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, shtatë personat e akuzuar në lidhje me tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen kryetari i Skënderajit, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Që të shtatë të akuzuarit ,akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut,ku i akuzuari Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’’, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të’ mashtrimit’ dhe ‘’falsifikimit të dokumenteve’’ në bashkëkryerj’, Driton Pruthi për veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’.