DËSHMON IZMI ZEKA NË RASTIN MTPT

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Ish-kryetari i PDK-së në Degën e Gjilanit, Izmi Zeka, të enjtën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar dhënien e dëshmisë në rastin e MTPT-së.  Gjatë kësaj seance ai u pyet kryesisht rreth kontakteve që kishte pasur me ish-Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafën lidhur me projektet për ndërtimin e rrugëve në këtë komunë. Mirëpo, edhe pas insistimeve të shumta të prokurorit të çështjes, Charles Hardaway, që të marrë përgjigje nga ky dëshmitar se a kishte biseduar ndonjëherë më Mustafën rreth projekteve të ndërtimit të rrugëve, prokurori nuk u nda i kënaqur nga përgjigja e Zekës. Ky i fundit, përsëriti disa herë para trupit gjykues, që individialisht me Mustafën nuk kishin folur asnjëherë rreth tenderëve për ndërtim të rrugëve. Por, për këtë temë ai tha që ka biseduar me Mustafën dhe 15 anëtarët e tjërë të degës së PDK-së në Gjilan, vetëm kur është folur për programin e kësaj partie.  “Po e saktësoj, unë jam marrë me punët e PDK-së në degë. Prokurori po paragjykon, ai duhet të më dëgjoj mua e jo të nxjerrë prej kontekstit. Qartë po e them që kemi diskutu ndonjëherë për çështjen e projekteve të Gjilanit, jo vetëm ato të rrugëve por edhe projekte të tjera” u shpreh Zeka.

Gjatë kësaj seance, Izmi Zeka tha që gjatë kohës sa ushtronte pozitën e kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, nuk kishte dëgjuar asnjëherë se dikush nga MTPT kërkonte ryshfet për dhënie të tenderëve në këtë Komunë.

Me kërkesë të prokurorit Hardaway, kjo seancë u shty për 16 maj. Ai u arsyetua se ai do të filloj t’i parashtroj pyetje dëshmitarit për një temë  tjetër, prandaj për të mos u ndërprerë nga koha e limituar, ai kërkoj që të filloj me këto pyetje në seancën tjetër. Lidhur me këtë kërkesë të prokurorit reagoj mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Krasniqi, Bajram Tmava duke thënë se ndihet i shqetësuar që prokurori po e shtynë seancën. “Edhe po befasohem edhe po shqetësohem. Gjykata vendosë për rrjedhjen e procedurës në gjykim. Prokurori nuk e ka atë të drejtë. Nuk ka arsye me ndërpre. Ne i kemi hupë sot dy orë dhe s’kanë qenë çështje serioze fare”, tha Tmava. Gjykata aprovoj kërkesën e prokurorit dhe kjo seancë u shty për muajin maj.

Në seancën e rradhës, do të vazhdoj marrja në pyetje e dëshmitarit Izmi Zeka, nga prokurori i çështjes, Charles Hardaway.

Ky shqyrtim gjyqësor ka filluar të zhvillohet nga fundi i shtatorit të vitit 2015, dhe deri më tani janë  dëgjuar tre dëshmitarë para Izmi Zekës. Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së  Kosovës përfshihen pesë persona të akuzuar për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të  tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomit (MTPT). Ndër ta janë ish Ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ish-Drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpërtim Telaku dhe Florim Suka.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë