DËSHMON IVICA MICIQ, NË RASTIN KUNDËR DEPOISTIT NË KOMUNËN E GRAÇANICËS

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në seancën kundër Sladjan Trajkoviq i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka dëshmuar Ivica Miciq. Të martën, në Gjykatën Themelore Prishtinë i njëjti tha se nuk ka dyshuar se i akuzuari ka kryer këtë vepër penale.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore e ngarkon të pandehurin Trajkoviq për veprën penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare”. I njëjti pretendohet se gjatë vitit 2013-2014 duke qenë në pozitën e depoistit kryesor në depon e Komunës së Graçanicës, ka marrë pajisjet medicinale nga ajo depo në mënyrë të vazhdueshme. Trajkoviqi sipas aktakuzës së prokurorës së çështjës Dulina Hamiti i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm Komunës së Graçanicës në vlerë prej 58.021,47 euro.

Dëshmitari Ivica Miciq bëri të ditur se në vitin 2014 është emëruar në cilësinë e drejtorit të shëndetësisë në Komunën e Graçanicës. Ai theksoi se përgjegjësitë e tij si drejtor i kësaj Komune kanë qenë pranimi dhe dorëzimi i pajisjeve medicinale nëpër depot përkatëse.

Ai shtoi se Sladjan Trajkoviq ka qenë personi përgjegjës i ngarkesës së këtyre depove të ngarkuara me pajisje medicinale. I njëjti tha se në ditën kritike kishte marrë një thirrje nga Trajkoviq i cili e kishte njoftuar se depoja ishte thyer dhe se mungonin një pjesë e madhe e këtyre pajisjeve. Më pas Miciq tha se ka lajmëruar policinë për procedurën e mëtejme që të konstatohet mungesa e këtyre pajisjeve mirëpo asnjëherë nuk kanë pranuar ndonjë përgjegjje nga ana e tyre.

Sa i përket dëmit të shkaktuar, Miciq tha se raporti i komisionit i përbërë prej tre anëtarëve ka konstatuar se mungesa e mallit është në vlerë prej 58 mijë e diçka euro.

Miciq theksoi se meqenëse Trajkoviq ka qenë i vetmi depoist i cili i ka pasur çelësat e të gjitha depove policia i ka shqiptuar masën e paraburgimit. Tutje ai tha se Trajkoviq konform rregullave ka qenë i obliguar të lajmërohet në punë pas dy muajve, mirëpo i njëjti nuk e ka bërë një gjë të tillë, ku më pas edhe i’u është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Ndërkaq në pyetjen e mbrojtësit, të të akuzuarit Trajkoviq, avokati Ramë Gashi, se cfarë edukimi i përkasin anëtarët e këtij komisioni, Miciq sqaroi se një anëtar është ekonomist, njëri ka të përfunduar shkollën e lartë ekonomike dhe një anëtare është teknike e farmacisë.

Gjykata caktoi seancën e radhës me 7 tetor 2016, në ora 9:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë