DËSHMON INSPEKTORI I AGJENSIONIT PYJOR KUNDËR ROJËS SË PYLLIT 

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Mejdi Berisha, inspektor i Agjensionit Pyjor të Kosovës, ka dëshmuar në shqyrtimin gjyqësor kundër Sabri Miftarit, i akuzuar për veprën penale “ shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit “.

Gjatë dëshmisë së tij, Berisha tha se në zonën ku ka qenë i akuzuari Sabri Miftari nuk ka pasur ndonjë fatkeqësi natyrore por vetëm prerje ilegale të pyllit, në ditën kritike, në zonën ku e kishte mbuluar i akuzuari, nuk kishte pasur zjarr. Në këtë rast nuk ishin të mbuluara 325.61 m³, dhe për këtë arsye ishte bërë kallëzimi penal ndaj tij, ngase i pandehuri nuk ka mundur të arsyetonte me fletëparaqitje vlerën e lartcekur. Dëshmitari nuk kishte pasur njohuri se i pandehuri mund të ketë pasur lidhje me prerësit ilegal të pyjeve. Ai tha se është e vërtetë se në AKP  ekziston komisioni disiplinor por për rastin konkret nuk ishte iniciuar asnjë procedure disiplinore

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 10 tetor 2016, në ora 9:00

Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ku Sabri Miftari, akuzohet se nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare si roje e pyllit, ashtu që në sipërfaqen e pyllit – Njësia Menaxhuese Kopilaqë, tereni Letnicë dhe Stanqiq më 4 mars 2013, nga Agjencioni Pyjor i Kosovës është konstatuar dëmi i përgjithshëm prej 839.32 m³, nga të cilat të pa arsyetuara me fletëparaqitje kanë qenë 325.61 m³, edhe pse ka qenë i obliguar që këto dëme t’i raportoj në Njësinë e AKP-së në Viti, dhe me këto veprime u ka mundësuar përfitim material prerësve  ilegal të pyllit.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë