Dëshmon i dëmtuari që ia kishte dhënë 200 euro ryshfet të akuzuarit Bekim Ramaj për t’ia operuar të afërmin

Raporton:Belkize LOSHAJ

Pejë – Naim Osmanaj, një ndër të dëmtuarit në procesin gjyqësor kundër Bekim Ramaj i akuzuar për veprën penale “marrje ryshfeti”,  është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit në seancën e hënës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë.

Osmanaj tha se të akuzuarin e kishte njoftuar më 3 prill 2016, në spitalin e Gjinokologjisë në Pejë, ku e kishte dërguar vajzën për shërim, për shkak të problemeve shëndetësore që kishte pasur.

Në pyetjen e prokurores Sahide Gashi, se a i kishte dhënë ryshfet të akuzuarit Ramaj për operimin e vajzës, dëshmitari tha se është e vërtetë se një bisede të shkurtër më të akuzuarin në zyrën e tij, i cili e kishte njoftuar për gjendjen kritike të vajzës së tij dhe për nevojën që ajo të operohej, ishte detyruar të jepte ryshfet. “Masi më ka njoftu për gjendjen e vajzës më ka thanë se për operimin e saj duhet… duke i ngritur dy gishtërinjtë… Në atë çast se kam kuptuar se çka po kërkon dhe kam kërkuar prej tij të jetë i drejtpërdrejtë. Ramaj më ka thënë se dora e “gjymertit” nuk ndalet dhe në atë çast ia kam ofruar 100 euro, por ai ka thënë se i duhen para edhe për kolegët e tjerë dhe pastaj jam detyruar t’ia jap edhe 100 euro tjera”, tha Osmanaj.

Kryetari i trupit gjykues Sami Sharxhiu tha se shqyrtimi gjyqësor do të vazhdoj për dëshmitarët e tjerë më 14 tetor 2016, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës i pandehuri më 3 janar 2015, rreth orës 16:50 në Pejë, në Spitalin Rajonal, në Repartin e Kirurgjisë, si kirurg drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar të holla, në mënyrë që të veproj në pajtim me detyrën e tij zyrtare. Sipas Prokurorisë, kur i dëmtuari Besnik Berisha e kishte dërguar kunatën e tij me dhimbje barku, i pandehuri e kishte ftuar në zyrën e tij, e kishte njoftuar se ajo duhej t’i nënshtrohej urgjentisht ndërhyrjes kirurgjike nga zorra qorre dhe iu kishte drejtuar me fjalët se “për me operu sonte, duhet një kafe”. Në atë moment i dëmtuari e kishte pyetur se sa kushton ajo kafe, i pandehuri i kishte thënë se ”për me operu sonte duhet një kafe prej 100 eurove, se janë disa doktor në shpi, të cilët duhet me i thirre prej shpisë, për të ndihmuar në operacion. Atëherë i dëmtuari i përgjigjet doktorit që ta kryej operacionin se nuk kishte të holla me vete, por që do t’i telefononte familjarët që t’ia sjellin. Ndërkohë, të dëmtuarit i’a ka sjellë vëllai të hollat, pas përfundimit të operacionit i pandehuri e fton të dëmtuarin në zyrën e tij, ku i dëmtuari ia dorëzon 100,sipas marrëveshjes.

Sipas aktakuzës, në po të njëjtën ditë i pandehuri kishte kërkuar para edhe të dëmtuarit Naim Osamaj, nga fshati Kaliqan, Komuna e Istogut, për operimin e vajzës së tij trembëdhjetë vjeçare. Osmanaj e kishte dërguar vajzën tek i pandehuri Ramaj, pasi e njëjta kishte dhimbje barku. Ramaj e kishte ftuar të dëmtuarin në zyrën e tij dhe i kishte thënë se vajza duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike, duke i’u drejtuar me fjalët ‘por dora e gjymertit nuk nalet’, duke artikuluar me gishta se po kërkon të holla. Sipas aktakuzës, i dëmtuari Osmanaj i ishte përgjigjur me fjalët “pasi po i kërkon, kryeje punën e ta jepi një të verdhë”, vetëm shkoj me i marr e t’i sjellë në zyre”. Në këtë rast, Osmanaj del nga zyra e të akuzuarit, e lajmëron policinë, e cila i fotokopjon të hollat e të dëmtuarit. Pasi të njëjtit lajmërohen nga i dëmtuari se i’a ka dorëzuar të hollat Bekim Ramajt, policia hyjnë në zyrën e të pandehurit dhe të hollat i gjejnë në kuletën e tij.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë