DËSHMON EKSPERTI I PROKURIMIT PUBLIK NË RASTIN E ZYRTARËVE TË KOMUNËS SË KAÇANIKUT

Raporton: Verona KADRIU

 

Ferizaj – Të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj u dëgjua eksperti i prokurimit publik Agim Sheqiri. Eksperti ishte propozuar nga pala mbrojtëse në këtë çështje penale kundër Fatos Koxha, Zekirja Koxha, Vedat Dema, Bujar Dullovi dhe Betim Shala të cilët akuzohen për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.

Gjykata në seancën e mbajtur më 10 qershor 2016 kishte aprovuar propozimin e palës mbrojtëse për caktimin e ekspertit të prokurimit publik, i cili do të sqaronte detyrat, obligimet dhe përgjegjësitë e komisionit në të cilën kanë qenë anëtarë tani të akuzuarit dhe se kujt i përgjigjet ky komision dhe a është obligator rekomandimi i komisionit.

Ekspertizën e tij Sheqiri e kishte dorëzuar gjykatës më 29 qershor 2016 në formë shkruar megjithatë ai ishte ftuar që të njëjtën t’a elaboroj në pika të shkurta. Në pyetjet e parashtruara nga palët në procedurë rreth ekspertizës në fjalë lidhur me çështjet konkrete që ishin kërkuar dhe precizuar me urdhëresë të gjykatës, eksperti deklaroi se detyrat dhe obligimet e komisionit ku anëtarë të saj kanë qenë tani të akuzuarit, ka qenë që bëjnë vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik lidhur me tenderin “rehabilitimi dhe gjelbërimi i rrugës Ismajl Raka” në Kaçanik që do të thotë vlerësimin e dokumenteve të ofruara nga operatorët se a janë të përgjegjshme, gjegjësisht a i plotësojnë kriteret e përcaktuara me shpalljen e tenderit në fjalë dhe pastaj dhënien e rekomandimit për operatorin e përgjegjshëm menaxherit të prokurimit pranë Zyrës së Prokurimit, në rastin konkret në Komunën e Kaçanikut. Kriteret kryesore të këtij tenderit ai tha se kanë qenë referencat e operatorëve për punët e ngjashme të kryera dhe çmimi më i ulët i ofertuar. Përkitazi me këtë Sheqiri deklaroi se pas studimit të gjithë shkresave të lëndës çmimin më të ulët e kishte ofertuar firma “Area” në shumë prej 45,194,35 euro, ndërkaq komisioni vlerësues kishte rekomanduar si operator më të favorshëm firmën “ATC-Com” e cila kishte fituar tenderin me ofertë me çmim më të lartë dhe atë  prej 74,322,90 euro. Tutje, eksperti deklaroi se rekomandimi i komisionit vlerësues nuk është obligator, as vendimtar, ndërkaq tha se sipas Ligjit për Prokurimin Publik vendimi lidhur me përzgjedhjen e operatorit i takon menaxherit të prokurimit, i cili edhe e ka formuar komisionin për vlerësimin e ofertave, dhe ai ka në diskrecion t’a pranojë apo t’a refuzoj rekomandimin e tillë, e që në rast të refuzimit duhet edhe të argumentojë arsyet se pse është refuzuar. Lidhur me përgjegjësinë e anëtarëve të komisionit, eksperti deklaroi se të njëjtit në bazë të deklaratës së dhënë nën betim me rastin e caktimit të tyre si anëtarë kanë përgjegjësi vetëm sa i përket vlerësimit dhe shikimit të dokumenteve të operatorëve ekonomik ofertues.

Me dëgjimin e ekspertit përfundoi shqyrtimi gjyqësor ndërkaq seanca e radhës u caktua për 21 korrik 2016 në ora 09:00 ku do të dëgjohen dy dëshmitarë Rexhep Morina dhe Ilir Thaçi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj Fatos Koxha, Zekirja Koxha, Vedat Dema, Betim Shala dhe Bujar Dullovi në bashkëkryerje akuzohen për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare” nga neni 348 paragrafi 1 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës. Për këtë vepër penale pesë të pandehurit akuzohen sepse, si persona zyrtarë dhe atë i pandehuri i parë si Kryesues i komisionit për vlerësim të ofertave kurse të pandehurit e tjerë si anëtarë të komisionit për tenderin e shpallur nga Komuna e Kaçanikut me destinim” rehabilitimi dhe gjelbërimi në rrugën Ismajl Raka” në Kaçanik, në raportin e vlerësimit të ofertave të operatorëve ekonomik NNP “ATC-Com”, NNP “Area”, SHPK “Alfa”, SHPK “Megi Bau GMBH”, kanë paraqitur të dhëna të pavërteta për kushtet teknike dhe profesionale  si dhe përgjegjshmërinë për operatorin NNP “Area”, se i mungojnë referencat për punët e kryera dhe vërtetimi për qarkullimin financiar edhe pse operatori ekonomik i kishte plotësuar këto kritere,kështu që i kanë rekomanduar Zyrës së Prokurimit miratimin e ofertës të operatorit ekonomik NNP “ATC-Com”,- në vlerë prej 74,322,90  euro në kundërshtim me nenin 32.4 të Ligjit të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës  e të cilit operator i kanë munguar referencat për punët e kryera dhe çmimi i ofertuar ka qenë më i lartë se i operatorit ekonomik NTP “Area” e cila kishte ofertuar me çmimin prej 45,194,35 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë