DËSHMON EKSPERTI FINANCIAR NDAJ TRE TË AKUZUARVE PËR SHPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE
Raporton: Syzana REXHEPI
Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan,të enjtën,ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Daut Xhemaili, Avdulla Emini, Sabri Sherifi, të cilët akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autorizimit zyrtar”.
Në këtë seance ka dëshmuar eksperti financiar Riza Blakaj, i cili ka sqaruar rastin konkret.
Në pyetjet e prokurorit Afrim Shefkiu, se a ishin plotësuar procedurat e tenderimit për projektin ideor të realizuar nga kompania “Art project” i parapar për rregullimin e trotuareve dhe drunjëve dekorativ në Viti, eksperti Blakaj tha se në raport theksohet se nuk janë respektuar dispozitat e neneve 7,5,8,13 dhe 30,të ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës.
Ndërsa sa i përket dispozitivit III të aktakuzës eksperti tha se komuna nuk e ka kosultuar fare APP, ku është dashur të konsultohet me të.
Në pyetjen e të akuzuarit Daut Xhemaili, eksperti deklaroi se për të shpallur tender për kryerjen e punimeve duhet paraprakisht të ishte siguruar projekti ideor sepse në bazë të tij bëhet përshkrimi i punëve të cilat duhet të tenderohen. Në rastin konkret projekti për rregullimin e trotuareve dhe drunjëve dekorativ projekti ideor nuk ka qenë i siguruar kur ishte shpallur tenderi për kryerjen e punimeve. Eksperti tha se nuk ka qenë detyrë e tij që të përcaktoj se a ishte dëmtuar buxheti te tenderi që ka të bëj me dispozitivin I të aktakuzës, por detyrë e tij ka qenë të bëjë analizën se a ishte respektuar mënyra e tenderimit.
Në pyetjen e të akuzuarit Avdullah Emini, eksperti tha se kontrata paraprake ka qenë e nëshkruar nga menaxheri prokurimit Hafiz Shabiu, dhe me kontratë është paraparë mundësia e vazhdimit për një vit, kjo i referohet dispozitivit II të aktakuzës. Eksperti nuk ishte i njoftuar se a kishte vazhduar çmimi i njëjtë për njësi edhe me rastin e vazhdimit të kontratës.
Në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Sabri Sherifi, avokatit Ekrem Pira se a ka pasur në dispozicion kontratën dhe aneks kontratën, Blakaj deklaroi se nëse ishte bashkangjitur në lëndë patjetër se e ka konsultuar. Tutje ai tha se është i sigurtë se me kontratë nuk ishte lejuar të bëhet pagesa para përfundimit të punimeve.
Pas marrjes në pyetje të ekspertit, shqyrtimi i së enjtës, ka përfunduar, ndërsa seanca e rradhës u caktuar më 11 maj 2016, në ora 9:00.