DËSHMON EKSPERTI FINANCIAR NDAJ DY TË AKUZUARVE PËR SHPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të mërkurën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Agim Rexhepit dhe Ilir Beqirit, të cilët akuzohen për veprën penale “shpërdorimi i pozitës apo i autorizimit zyrtar”. Të akuzuarit në këtë shqyrtim u deklaruan të pafajshëm për veprën penale që i rëndon.

Në fjalën hyrëse të palëve, prokurori Rasim Maloku tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Agim Rexhepi dhe Ilir Bytyqi do të prezentohen provat materiale , dëshmitë e dëshmitarëve  të propozuar në propozim-akuzë, si dhe ekspertiza e ekspertit financiar e që në bazë të adiminstrimit të këtyre provave do të dëshmohet edhe gjendja faktike për të cilën akuzohen dy të pandehurit.  Palët mbrojtëse në fjalën hyrëse të tyre deklaruan se aktakuza e ngritur është e pabazë, se kualifikimi juridik i veprës penale me të cilën akuzohen dy të pandehurit nuk është i duhuri, dhe meqenëse çështja gjyqësore ndaj të akuzuarve është në rigjykim dhe aktgjykimi i shkallës së parë i shpallur ndaj tyre, është anuluar nga Gjykata e Apelit, kërkuan nga gjykata që aktakuzën e ngritur t’a refuzoj si të pabazuar, edhe për arsyen e dhënë sipas tyre se prokurori ka dështuar të ngritë një akuzë valide sipas provave ekzistuese.

Tutje, ka dëshmuar eksperti financiar Riza Blakaj , i cili ka sqaruar rastin konkret, përkatësisht  përzgjedhjen e operatorëve ekonomik në tenderin e hapur nga kompania “Pastërtia” me seli në Ferizaj.

Në pyetjet e prokurorit Rasim Maloku, eksperti Blakaj tha se kushtet e përgjithshme kanë qenë të përcaktuara  në dosjen e tenderëve, kurse sa i përket kushtit kryesor për dhënien e kontratës ka qenë që ofertuesi të jetë teknikisht i përshtatshëm dhe të ofrojë çmimin më të ulët e që përveç kësaj në dosjen për tender janë të detajizuara edhe kushtet e tjera që janë dashur të plotësohen. Eksperti gjithashtu deklaroi se në rastin konkret operatorët ekonomik kanë mundur të konkurrojnë për të gjithë llotët në total ose për secilin llot veç e veç. Ndërsa ai tha se mendon që çmimi më i ulët, cilido qoftë ai është dashur të jetë i përcaktuar për kualifikimin si operator i përgjithshëm.

Në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Agim Rexhepi, avokatit Hilmi Zhitia, Blakaj deklaroi se si ekspert financiar punon që nga viti 1993, ndërsa sa i përket rastit konkret ai deklaroi se ekspertizën e tij e ka përpiluar në mënyrë profesionale dhe që në të e ka sqaruar se cili ka qenë kushti kryesor për fitimin e tenderit. Kurse në pyetjet e mbrojtjes së të akuzuarit tjetër Ilir Beqiri, avokates Vahide Braha, eksperti lidhur me shumën e shënuar në konkludimin e tij të ekspertizës, shumën prej 9.000 euro, që sipas prokurorisë i është shkaktuar dëm, ai deklaroi se kjo shumë do të qëndronte po që se do të bëhej përzgjedhja  e operatorëve për llotet veç e veç, mirëpo pasi që përzgjedhja është bërë për të gjitha llotet në total, shuma e theksuar mbetet vetëm sa për informacion. Me këtë përgjigjie avokatja Braha nuk ishte e kënaqur pasi që sipas saj, për shkak të kësaj shume prokuroria ka ngritur aktakuzën ndaj dy të pandehurve, ndërsa eksperti më tutje nuk kishte ndonjë përgjigje apo koment tjetër lidhur më këtë.

Në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, eksperti deklaroi se konform rregullave të tenderit përzgjedhja e operatorëve të suksesshëm në rastin konkret ka qenë e paraparë të bëhet me çmimin më të ulët. Ai gjithashtu tha që në rregullat e tenderit është paraparë mundësia e përzgjedhjes së ofertuesve të suksesshëm me çmimin më të ulët në total, por edhe me çmimin më të ulët për secilin llot veç e veç. Ai shtoi, se meqenëse përzgjedhja është bërë me çmimin më të ulët në total ajo gjithashtu e bërë konform rregullave të parapara me dosjen e tenderit. Në pyetjen se sipas tij a është bërë përzgjedhja në mënyrë të duhur dhe konfrom rregullave të përcaktuara, ai deklaroi se mendon që operatori ekonomik i përzgjedhur me çmimin më të ulët në total, është zgjedhur në mënyrë të drejtë dhe konform rregullave të tenderit.

Pas marrjes në pyetje të ekspertit dhe pas dhënies së deklaratës së tij, shqyrtimi i së mërkurës, ka përfunduar, ndërsa seanca e rradhës u caktua për të enjtën më 10 mars 2016 në ora 09:00, ku do të vazhdohet me administrimin e provave materiale.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë