DËSHMON E DËMTUARA NË RASTIN KUNDËR KRYETARIT TË DRENASIT

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, në bankën e të akuzuarve u rreshtuan Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, i cili së bashku me Ajet Demirin dhe Gani Halilajn akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Edhepse i informuar për fillimin e seancës, i akuzuari Ajet Demiri arriti në objektin e Pallatit të Drejtësisë me një vonesë prej një ore pa dhënë ndonjë arsye të fuqishme lidhur me vonesën e tillë. Kryetarja e Trupit Gjykues, Valbona Selimaj tha se një vonesë e tillë nuk do të tolerohet në të ardhmen dhe arsyeja e vetme pse nuk u shty seanca ishte fakti se e dëmtuara që sot parashihej të dëshmojë, e kishte shtyrë udhëtimin e saj për në Angli ku dhe jeton për shkak të seancës në fjalë.

Ky proces ka filluar me Aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur në qershor 2015, sipas së cilës, Nexhat Demaku, akuzohet se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Drenasit ka tejkaluar kompetencat e tij, meqë si qiradhënës më 2009 ka lidhur qira me Fadil Shishanin, me qëllim që ky të përfitojë të drejtën e shfrytëzimit të banesës së Zejnepe Buzhalës e në këtë mënyrë Demaku ka ushtruar përgjegjësi përtej Ligjit për Qeverisje Lokale duke penguar të dëmtuarën Buzhala në gëzimin e të drejtës së saj banesore për shfrytëzim të përkohshëm të banesës të dhënë me një vendim të mëparshëm nga Qendra për Edukim dhe Arsim Parashkollor “Ardhmëria”.

Ajet Demiri në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Gani Halilaj si zyrtar për çështje banesore në Komunën e Drenasit, pretendohet të kenë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare dhe tejkaluar kompetencat kur kishin nxjerrë vendim me të cilën e dëmtuara Zejnepe Buzhala detyrohej që ta lironte banesën që e njejta t’i mundësohej Fadil Shishanit.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Feti Tunuzliu, u kalua në fjalën hyrëse dhe i njëjti theksoi se akuza e prokurorisë është e bazuar dhe një gjë e tillë do të dëshmohet përgjatë procedurës së provave.

Edhe pse Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës nuk e parasheh në mënyrë eksplicite që mundësia e fjalës hyrëse t’i jepet të akuzuarit, në këtë rast atyre iu dha një mundësi e tillë meqë nuk kishin angazhuar mbrojtës. Demaku përgjatë fjalës së tij hyrëse kërkoi të dijë pse Prokuroria e akuzon atë duke u bazuar në dispozitat e Kodit të ri Penal përderisa vepra penale pretendohet të jetë kryer në kohën kur në fuqi kanë qenë dispozitat e Kodit të Përkohshëm Penal.

“Mbi bazën e parimit se aplikohet ligji më i butë, kemi vendosur që dispozitivin ta përpilojmë në bazë të dispozitave të Kodit Penale të Republikës së Kosovës që ka hyrë në fuqi në vitin 2013”, sqaroi prokurori i rastit Feti Tunuzliu.

Zejnepe Buzhala ka dëshmuar në seancën e së hënës, duke iu nënshtruar fillimisht pyetjeve të prokurorisë e mandej pyetjeve të të akuzuarve. Ajo shpjegoi në mënyrë kronologjike se si banesa, lidhur me të cilën dyshohet të jenë ndërmarrë veprime që kanë rezultuar në keqpërdorim të pozitës zyrtare,  i ishte dhënë fillimisht përkohësisht në 1994 nga Qendra për Edukim dhe Arsim Parashkollor “Ardhmëria” ku dhe e njejta kishte punuar. Më vonë e dëmtuara kishte kërkuar konvokimin e mbledhjes së Këshillit të Punëtorëve që banesa t’i jepej në mënyrë të përhershme dhe një gjë e tillë ishte aprovuar nga vetë Këshilli.

Megjithatë, problemi kishte filluar në periudhën e pasluftës , pasi familja e saj ishte detyruar që ta braktisë banesën si dhe vendin për të kërkuar strehim në Angli, ndërsa në banesë ishte vendosur një person tjetër me emrin Fadil Shishani. Me këtë person familja Buzhala kishin rënë dakord se i njejti mund ta përdorë banesën pa pagesë derisa familja Buzhala të vendoste ndryshe. Lidhur me këtë kishin përpiluar edhe një kontratë. Situata kishte eskaluar kur familja Buzhala kishte dashur të rivendoset në këtë banesë, kurse sipas të dëmtuarës, Fadil Shishani kishte filluar t’u kërcënohet me insistimin se nuk do e lëshojë banesën.

E dëmtuara Zejnepe Buzhala theksoi se Nexhat Demakut në cilësi të Kryetarit të Komunës lidhur me këtë çështje i ishte drejtuar dy herë, edhe atë herën e fundit ne vitin 2013 kur kishte kuptuar se Demaku e kishte pajisur Fadil Shishani me një kontratë për qira, kurse përgjigjia e Demakut lidhur me këtë rast kishte qenë “mos u merr më me këtë punë, çerdhja s’ka të bëjë me banesën, ajo është pronë e Komunës”. Ajo kishte kërkuar nga Demaku që ta blejë banesën megjithatë ky i fundit i kishte thënë se akoma nuk është shpalosur në ankand, dhe nëse ndodhte një gjë e tillë përparësi do të kishte Fadil Shishani sepse ka banuar aty për një kohë më të gjatë.

Lidhur me dy vendimet për shfrytëzim të përkohshëm dhe të përhershëm të banesës që e dëmtuara pretendon t’i jenë dhënë, ajo tha se nuk i posedon kopjet fizike të tyre meqë kishin mbetur në banesën që edhe sot e kësaj dite shfrytëzohet nga ana e Fadil Shishanit

I akuzuari Demaku i dorëzoi gjykatës një vendim me anë të së cilit ai pretendon se Komuna kishte anuluar vendimi me të cilin i është dhënë në shfrytëzim banesa Zejnepe Buzhalës.  Po ashtu, ai kërkoi që të merret parasysh fakti se Gjykata e shkallës së parë ia kishte refuzuar kërkesën për blerjen e kësaj banese, rast ky i cili momentalisht ndodhet në Gjykatën e Apelit. Seanca e ardhshme u caktua më 6 Prill.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë