DËSHMON DRITON SEJDIU NË RASTIN “KEK 2” NDAJ SAMI LUSHTAKUT DHE TË TJERËVE

Raporton:Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten u zhvillua seanca e shqyrtimit gjyqësor për rastin “KEK 2” ndaj të akuzuarve Sami Lushtaku, Arben Gjukaj dhe pesë të tjerëve, në të cilën seancë është marr në pyetje dëshmitari Driton Sejdiu.

Dëshmitari Sejdiu u pyet nga prokurori Paul Flyyn për pozitën e tij në Security Code, në kohën e fitimit të tenderimit nga ana e KEK-ut, për të cilën i njëjti  deklaroi se në kompaninë “Security Code”,  kishte qenë menaxher gjeneral dhe në të njëjtën kohë kishte punuar edhe për kompaninë ” Katana”.

Në pyetjen nëse pas dorëzimit të dokumenteve të kërkuar për pozitën që kishte aplikuar në “Security Code” a ishte intervistuar apo jo, i njëjti u përgjigj se vetëm i kishte dorëzuar dokumentet, por nuk ishte intervistuar asnjëherë për pozitën në të cilën ishte pranuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Esat Tahiri, avokati Mentor Neziri, ka pyetur dëshmitarin Sejdiu në lidhje me deklaratën për të cilën ai kishte deklaruar se nuk e kishte nënshkruar dhe se nënshkrimi që figuron në atë deklaratë nuk është i tij.

Po ashtu shtoi se përmbajtjen e deklaratës nuk e kishte ditur ,por pasi policia hetuese ia kishte paraqitur këtë dokument, i njëjti kishte dekaruar se edhe vet do ta kishte nënshkruaar këtë dokument, pasi siç theksoi ka pas nevojë për një punë dhe për këtë arsye  nuk e ka kundërshtuar këtë deklaratë me shkrim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Milazim Lushtaku, avokati Artan Qerkini kërkoi nga dëshmitari që të sqarohet çështja e kohës së kaluar nga lidhja e kontratës dhe fillimit të punës pasi sipas dëshmisë  të së njëjtit ka kaluar afërsisht një vit.

Dëshmitari Sejdiu lidhur me këtë, tha se kjo distancë kohore ka ngjarë nga shkaku se kontrata e lidhur në mes të KEK-ut dhe “Security Code” nuk ishte implementuar akoma.

Në këtë seancë gjyqësore prokurori  Flynn nuk u pajtua me deklaratën e dëshmitarit Sejdiu lidhur me kohën e lidhjes së kontratës, pasi Sejdiu në deklaratën e tij e kishte përmend kohën e fillimit të vitit 2012 si kohë e lidhjes së kësaj kontrate me ç’rast sipas Flynn bie në  kundërshtim me kohën e shpalljes së tenderimit publik, pasi e njëjta është shpallë në shkurt dhe ka zgjatë deri në verë të vitit 2012.

Sipas Flynn “Security Code” në ato rrethana nuk ka mundur që të rekrutoj punëtorë.

Gjykatësi  Vladimir Mikula deklaroi se me aq sa ka njohuri mbi  Ligjin e Punës së Kosovës, i njëjti  ndalon lidhjen e dy kontratave në të njëjtën kohë dhe me orarë të plotë, për të cilën gjë dëshmitari deklaroi se po t’i ishte vën kusht nënshkrimi i vetëm njërës së prej dy kontratave do ta zgjedhte “ Security Code’”para kompanisë “Katana”.

Avokati Qerkini shtoi se përmbajtja e kontratës ëshët e karakterit kushtëzues pasi në deklaratë ishte cekur se kjo kontratë do të vlejë vetëm në rast se fitohet tenderi me KEK-un. Po ashtu shtoi se ekzistimi i kësaj deklarate është e çuditshme, pasi nuk ka qenë fare kërkesë e dosjes së tenderimit.

Pas insistimit të prokurorit në lidhje me kohën e saktë të lidhjes së kontratës ,mbrojtësi i të akuzuarit Sami Lushtaku,avokati Arianit Koci tha se lënda është voluminoze,por gjithsesi kjo sipas tij mund të qartësohet ,pasi kompania nuk mund të aplikoj për fitimin e tenderit nëqoftëse nuk ka pasur persona të gatshëm që të punojnë.

Koci theksoi se kjo është edhe arsyeja e rekrutimit të mëhershëm të punëtorëve.

Pas kërkesës së prokurorit Flynn drejtuar gjykatës, e njëjta kërkoi nga mbrojtja e të akuzuarve Milazim Lushtaku dhe Esat Tahiri që përmes menaxhmentit të” Security Code” të sigurohet kontrata në fjalë, në mënyrë që të vërtetohet koha e lidhjes të së njëjtës si dhe e-maili, përmes së cilit janë dërguar dokumentet e kërkuara nga dëshmitari Driton Sejdiu për pozitën e menaxherit gjeneral për punëdhënësin “Security Code”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, shtatë personat e akuzuar në lidhje me tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen kryetari i Skënderajit, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Që të shtatë të akuzuarit ,akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut,ku i akuzuari Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’’, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të’ mashtrimit’ dhe ‘’falsifikimit të dokumenteve’’ në bashkëkryerj’, Driton Pruthi për veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’

Seanca e radhës për këtë proces gjyqësor u caktua për 20 prill 2016 në ora 09:00.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë