DËSHMON DREJTORI I INSPEKTORATIT XHELAL SVEÇLA NË RASTIN E “INSPEKTORËVE TË PRISHTINËS”

foto inspektoret
Author

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prill 5, 2016

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën dëshmoi Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës  Xhelal Sveçla për rastin “Inspektorëve të Komunës së Prishtinës”, të akuzuar për “shpërdorim të pozitës apo autorizimit”.

Në këtë seancë, Xhelal Sveçla fillimisht u morr në pyetje nga prokurorja Drita Hajdari. Në pyetjet e prokurores, në lidhje me dosjet  e përgatitura nga inspektorët e zonave, Sveçla u përgjigj se si drejtor gjatë shikimit të atyre dosjeve ka hasur në shumë parregullësi siç janë mospërputhshmëri ndërmjet raportimit me shkrim dhe gjendjes faktike në teren, mosraportimi i të gjitha ndërtimeve pa leje, raportimi i gjendjes më të mirë (butë) se sa që është në realitet, mosraportimi i vazhdimit të ndërtimit. Po ashtu Sveçla theksoi se kjo ka qenë tendencë e shumicës prej tyre, por shton se megjithatë ekzistojnë dy raportet e dorëzuara prokurorisë dhe aty janë të precizuara të gjitha veprimet dhe mosveprimet e të gjithë të akuzuarëve.

Sveçla tha se inspektorët janë arsyetuar me mungesën e kushteve të punës dhe numrit të madh të fillimit të ndërtimeve pa leje dhe lidhur me këtë  janë ankuar se është faji i shefit të inspektorëve dhe përmbaruesit e po ashtu edhe këta të fundit fajin e kanë bartur të inspektorët.

Ndërsa lidhur me procedurat e ndalimit të punëve ndërtimore, Sveçla deklaroi se në momentin kur njoftohen për ndonjë ndërtim pa leje apo vet inspektorë e identifikojnë një dukuri të tillë i bëhet vizitë objektit ndërtimor dhe nëse konstatohet se pala nuk ka leje për ndërtim, e njëjta udhëzohet që të pajiset me dokumentacionin përkatës në Drejtorinë e Urbanizmit dhe po që se në afat prej tridhjetë ditësh pala nuk vepron në përputhshmëri me këtë udhëzim, atëherë Inspektoriati merr masa urgjente si: vendosja e shiritit përreth objektit, shqiptimi i masave të parapara me ligj siç janë edhe shqiptimi i dënimeve mandatare.

Sveçla shtoi se nëse pala edhe pas këtyre veprimeve nuk e ndalon  ndërtimin, ndërmirren masat për gjobë dhe bëhet përpilimi i vendimit për rrenim nga ana e inspektorit gjegjës  të zonës, i njëti vendim i dorëzohet shefit të Sektorit  dhe përmes tij edhe përmbaruesit si dhe një kopje e saj edhe palës.

Shefi i Sektori bashkë me përmbaruesin përpilojnë aktin e rrënimit, të cilën edhe e ekzekutojnë përmes kompanive të kontraktuara për rrënim.

Ndërsa lidhur me 36 objektet që janë edhe objekt i akuzës, Sveçla tha se tre apo katër prej tyre janë rrënuar, disa prej tyre kanë marrë lejen, disa të tjera janë në procedurën e legalizimit pasi të njëjtat janë ndërtuar para periudhës gusht 2013.

Lidhur me kompaninë ”Pozhegu Brothers” me pronarin Qemajl Pozhegu, Sveçla deklaroi se dosjen e së njëjtës e ka dërguar në prokurori, pasi objekti, përkatësisht kati i shtatë nuk posedonte lejen e kërkuar të ndërtimit për etazhitet,por kompania e paraqet një dokument jo-valid duke e prezentuar si të vërtetë.

Në këtë seancë po ashtu dëshmitari Sveçla u morrë në pyetje edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve dhe nga vet të akuzuarit.

Në pyetjen nga mbrojtësi i të akzuarit Ismet Haliti, avokati Ramiz Krasniqi në lidhje me personat që bëjnë ispektimin e punëve në teren, Sveçla deklaroi se janë ekipet e inspektorëve që e bëjnë inspektimin në teren, ekipe të përbëra nga një inspektor dhe një zyrtar tjetër që janë përgjegjës për atë zonë.

Ndërsa në pyetjen lidhur me kompetencat e përmbaruesit nga mbrojtësi i të akzuarit Skender Canolli, avokati Veton Rrecaj, dëshmitari Xhelal Sveçla deklaroi se detyra kryesore është që të organizoj procedurat e rrenimit të objekteve,që për të njëjtat është marrë vendim për rrënim paraprakisht dhe në bashkëpunim me inspektorin e zonës përkatëse ta udhëzojnë kompaninë e autorizuar për rrënim.

Procesi gjyqësor vazhdoi edhe me marrjen në pyetje të dëshmitarit Sveçla, nga mbrojtësi i të akuzuarës Blerina Syla, ku në lidhje me vulën për vulosjen e vendimeve për rrënim, i njëjti deklaroi se inspektorët nuk e kanë poseduar këtë vulë, por vetëm shefi i sektorit. Po ashtu në pyetjen se cili organ mundet që t’i anuloj vendimet për rrënim, dëshmitari deklaroi se është Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor ajo që mund ta bëjë anulimin, ndërsa piketimin e objeteve për ndërtim e bën gjeodeti i Drejtorisë së Urbanizmit.

Në pyetjen nga mbrojtësi i të akzuarit Blerim Ibishi, avokati Sahit Bibaj nëse Sveçla si drejor a ka pas vërejtje në punën e të mbrojturit të tij, i njëjti u përgjigj se ka pasur situata kur është ballafaqur me disa vërejte gjatës punës të së njëjtit.

Ndërsa nëpyetjen nga mbrojtësi i të akuzuarit Ardian Muhadrit, avokati Emrush Kastrati në lidhje me dekalartën e dëshmitarit se kur është emëruar si drejtor, Drejtoria e Ispektoratit ka qenë në gjendje kaotike, i njëjti e pohon dhe shton se shumë raporte nuk kanë qenë në rregull e disa prej tyre edhe kanë munguar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 qershor 2015, të pandehurit Ismet Halili, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mergim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi,si persona zyrtarë në Drejtorinë e Inspekcionit-Sektori i Inspekcionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010-mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për të tjerët, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare,ashtu që për investitorët “Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina ”Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group” nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore si dhe nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrenimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal, të cilët e kanë shfrytëzuar pozitën zyrtare për kryerjen e veprave penale, të cilin grup e ka drejtuar dhe menaxhuar i pandehuri Ismet Halili, si ushtrues detyre i Shefit të Sektorit të Inspeksionit për Ndërtim, ndërsa të pandehurit Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mergim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi si inspektorë për ndërtim dhe Skender Canolli si zyrtar për përmbarim. Ndërsa i pandehuri Qemajl Pozegu, pronar i kompanisë”Pozhegu Brothers”, akuzohet për veprën penale”falsifikim i dokumenteve”, pasi ka ndryshuar dokumentin original publik, në këtë rast lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal.Seanca e ardhshme u caktua për 14 prill 2016, në ora 09:00.